Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, lidhur me zhvillimet e fundit politike në komunat e Gostivarit dhe Vrapçishtit, ku po diskutohen vendime për emërimin e kryetarëve ushtrues detyre.
Taravari ka krahasuar situatën aktuale me raste historike, ku pushtetet kokëforta kanë tentuar të nënshtrojnë vullnetin e popullit, por në fund kanë dështuar.
“Njihet rëndom në histori se si pushtete kokëfortë kanë kërkuar të nënshtrojnë vullnetin e popullit. Kështu po ndodh edhe me kryetarët ushtrues detyre që duan të sjellin në Gostivar e Vrapçisht. Sado paradoksale, njihet po prapë në histori se lëvizje të tilla e bëjnë edhe më të fortë vullnetin e sovranit,” ka shkruar Taravari, njofton TS.
Ai ka theksuar se fituesit legjitimë dhe kryetarët e zgjedhur nga populli janë Valbon Limani në Vrapçisht dhe Isen Shabani në Gostivar, ndërsa ka akuzuar institucionet shtetërore për përpjekje që, sipas tij, cenojnë vullnetin qytetar.
“Këto manovra të shtetit ndaj tyre po i bëjnë këta djem fitues historikë,” ka përfunduar lideri i Aleancës për Shqiptarët.