Taravari: Gostivari e ka zgjedhur rrugën e ndershmërisë: Me Valbon Limanin në krye





Në një kohë kur vlerat morale e ligjore shpesh përmbysen dhe kufiri mes të drejtës e të padrejtës mjegullohet, ka njerëz që dallohen qartë për ndershmëri dhe përkushtim ndaj ligjit. Kështu thotë lideri i ASH-aë, Arben Taravari, i cili shton më tej se njëri prej tyre është Valbon Limani, kryetari i Komunës së Gostivarit, i cili me punë të palodhur dhe integritet ka fituar besimin e qytetarëve të tij.

“Gostivari ka zgjedhur! Valbon Limani është kryetar i padiskutueshëm dhe shembull i njeriut të drejtë e të ndershëm. Për të jemi të gjithë krenarë”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët dhe njëri nga liderët e koalicionit AKI.

Reagimi i Taravarit vjen pas akuzave të kryeministrit Hristijan Micovski, i cili sot pretendoi se kryetari Limani ka sjellë dy plane detale urbanistike në kundërshtim me procedurat ligjore.

Nga Komuna e Gostivarit sqaruan se këto pretendime janë të pavërteta dhe se kryeministri është i keqinformuar. Sipas tyre, të gjitha procedurat janë ndjekur në përputhje me ligjin dhe asnjë shkelje nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, qytetarët e Gostivarit kanë shprehur mbështetje të gjerë për kryetarin Limani, duke e konsideruar këtë sulm politik të motivuar nga fakti se në raundin e parë të zgjedhjeve të 19 tetorit, pushteti qendror pësoi humbje të thellë me rreth 13 mijë vota diferencë në këtë komunë.