Sveçla inspekton vendin ku besohet se Serbia rrëmbeu shtetasin e Kosovës, kërkon reagim ndërkombëtar





Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka inspektuar pjesën e kufirit shtetëror ku dyshohet se është rrëmbyer shtetasi i Republikës së Kosovës, Milan Vukashinoviq.

Sipas Sveçlës, në bazë të informatave dhe dëshmive të siguruara nga autoritetet vendore, është konstatuar se gjatë këtij incidenti është shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, pasi Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë për shkak të qëndrimeve të tij si kundërshtar i Listës Serbe.

Ai ka bërë të ditur se Vukashinoviq, pas plagëve të marra, po trajtohet aktualisht në spitalin e Nishit në Serbi.
“Serbia po dëshmohet çdo ditë e më shumë jo vetëm si shtet agresor ndaj fqinjëve të saj, por edhe si shtet antidemokratik, pasi që z. Vukashinoviq ende po i mohohet mbrojtja ligjore që garantohet edhe në vendet më autoritare,” ka deklaruar Sveçla.

Ministri ka shtuar se institucionet e Kosovës janë duke zhvilluar hetime intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë, të cilët do të përballen me drejtësinë.

Në fund, Sveçla ka apeluar tek bashkësia ndërkombëtare që të rrisë presionin dhe të ndërmarrë masa ndaj Serbisë, për të ndëshkuar, siç tha ai, “sjelljet kriminale e destabilizuese” dhe për të parandaluar situata të tjera që mund të nxisin tensione në rajon.