Sulmi ndaj Gardës, Trump paralajmëron pezullim të përhershëm të emigracionit nga vendet e botës së tretë

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të “pezullojë përgjithmonë emigracionin nga të gjitha vendet e botës së tretë”, një ditë pasi dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare u qëlluan në Washington DC, një ngjarje që është kthyer shpejt në pikë të nxehtë politike, mes fushatës së tij për shtrëngimin e politikave të emigracionit.

Në një postim në rrjetet sociale, të publikuar pas orës 23:00 të së enjtes dhe që niste me urimin “Gëzuar Ditën e Falenderimeve”, Trump tha se administrata e tij do të “ndalojë çdo përfitim federal për joqytetarët” dhe do të dëbojë “çdo person që nuk është një aset i pastër për Shtetet e Bashkuara”.

Nuk është e qartë sesi presidenti amerikan synon të zbatojë një “pezullim” të tillë të emigracionit, ndërsa ndalimet e mëparshme të administratës së tij janë përballur me sfida në Kongres dhe në gjykata.

Më herët gjatë mbrëmjes, Trump njoftoi vdekjen e Sarah Beckstrom, një prej dy pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të plagosur në sulmin e së mërkurës pranë Shtëpisë së Bardhë. Autoritetet dyshojnë se sulmi u krye nga Rahmanullah Lakanwal, një shtetas afgan që hyri në SHBA në shtator 2021 në kuadër të një programi të Biden-it, i cili evakuoi dhe sistemoi dhjetëra mijëra afganë pas tërheqjes kaotike të SHBA-ve nga Afganistani.

Sipas Reuters, Lakanwal mori azil në prill të këtij viti, gjatë administratës Trump, dhe të enjten CIA konfirmoi se ai kishte punuar me njësi ushtarake të mbështetura nga agjencia gjatë luftës në Afganistan. Ai mbeti i plagosur në sulm dhe është nën kujdes mjekësor. Anëtari i dytë i Gardës, Andrew Wolfe, 24 vjeç, po lufton për jetën.

Postimi i vonshëm i presidentit shihet si një ashpërsim i mëtejshëm i linjës kundër emigrantëve në mandatin e tij të dytë, i dominuar nga një fushatë dëbimesh masive. Në të, ai përdor retorikë të fortë anti-emigracion për të fajësuar, pa prova, çështje si kriminaliteti i lartë dhe rritja e deficitit amerikan.

Trump përmendi veçanërisht komunitetet somaleze në Minnesota, vetëm një javë pasi premtoi t’u heqë statusin e mbrojtur të përkohshëm qytetarëve nga Somalia që jetojnë në atë shtet.

Më herët, presidenti tha se të shtënat në Washington “kujtojnë se prioriteti ynë më i madh i sigurisë kombëtare është kontrolli i plotë mbi ata që hyjnë dhe qëndrojnë në vend”.

Gjatë 24 orëve pas sulmit, administrata njoftoi një sërë reformash të gjera të emigracionit. Shërbimi i Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-ve (USCIS) pezulloi përpunimin e kërkesave të lidhura me shtetas afganë, deri në një rishikim të mëtejshëm.

Më pas, Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se po zgjerohej rishikimi për të përfshirë të gjitha rastet e azilit të miratuara gjatë administratës Biden. Nuk u sqarua nëse rishikimi prek vetëm rastet nga Afganistani apo edhe vendet e tjera.

Drejtori i USCIS, Joseph Edlow, njoftoi gjithashtu një “rishqyrtim të plotë dhe rigoroz të çdo karte jeshile për çdo shtetas të huaj nga çdo vend i shqetësimit”, me kërkesë të presidentit. Nuk u specifikuan cilat vende përfshihen, por USCIS iu referua ndalimit të udhëtimit të vendosur nga Trump në qershor për qytetarët e 19 vendeve, mes tyre Afganistani, Burundi, Laosi, Togo, Venezuela, Sierra Leone dhe Turkmenistani.

Një ndalim i ngjashëm udhëtimi i vitit 2017 u përball me rezistencë të gjerë dhe beteja të gjata gjyqësore, para se të riformulohej nga administrata dhe më pas të shfuqizohej nga Joe Biden në vitin 2021.

Trupat e Gardës Kombëtare janë vendosur në Washington që prej gushtit, kur administrata Trump shpalli “emergjencë kriminaliteti” dhe urdhëroi dislokimin e tyre për të mbështetur policinë federale dhe lokale. Pas sulmit të së mërkurës, Trump njoftoi dërgimin e 500 trupave të tjerë.

Një gjykatëse federale urdhëroi javën e kaluar që misioni i Gardës Kombëtare të përfundojë, por i dha administratës 21 ditë kohë shtesë për t’i larguar trupat ose për të apeluar vendimin.