Suat Shaqiri: Çashka pas 4 viteve do të jetë shembull për të gjitha komunat

Kryetari i Komunës së Çashkës, Suat Shaqiri, në emisionin “Debat në SHENJA” deklaroi se Çashka do të bëhet një shembull për të gjitha komunat në vend pas katër viteve të mandatit të tij.

“Çashka veç se ka ndryshuar. Pas viteve, Çashka do të jetë shembull për të gjitha komunat. Ashtu siç dhamë një shembull për të gjitha komunat tjera për të gjithë popullin shqiptar dhe maqedonas që jetojnë këtu, sepse ne kemi qenë shembull si në aspektin e zhvillimit të fushatës zgjedhore dhe ofertave, ashtu edhe Çashka do të jetë shembull në të gjitha aspektet,” deklaroi Shaqiri.

Kryetari nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit gjithëpërfshirës, duke u fokusuar në shembullin pozitiv që Çashka mund të japë për komunat e tjera, si në aspektin e menaxhimit, ashtu edhe të përfshirjes së komuniteteve lokale.

“Por i gjithë fokusi që ishte në komunën e Çashkës, ta them kështu, jo si Suat apo si protagonist vetëm unë, por njëherë mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjithë qytetarëve, me theks të veçantë shqiptarëve dhe pjesën e etniteti turk të cilët u bashkuan rreth qëllimit, rreth asaj që unë e propozova që komuna të na takojë neve, erdh çështja e kandidimit në kuadër të AKI-t dhe filluam fushatën gjithpërfshirëse dhe nje fushatë, dhe i dhamë një theks të veçantë multietnicitetit, për të gjithë qytetarët e komunë së Çashkës”, deklaroi Shaqiri.

Shaqiri nënvizoi se fokusi i tij ka qenë një bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe multietnik, duke përfshirë të gjitha komunitetet e komunës dhe duke promovuar unitetin lokal. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e kandidimit të tij në kuadër të AKI-së si një hap për zhvillimin e komunës.

Shaqiri bëri të ditur se përveç funksionit të tij si kryetar, fokusi kryesor mbetet përgjegjësia dhe mirëqenia e të gjithë qytetarëve, duke e përshkruar detyrën e tij si një rol që kërkon angazhim të plotë dhe respekt për diversitetin e komunitetit.

Ai shtoi se spekulimet rreth çështjeve të tepruara politike ose ideve si “Shqipëri e Madhe” nuk lidhen me punën e tij për komunitetin lokal. “Unë nuk jam pjesë e ekzagjerimeve, por jam i fokusuar në të përditshmen dhe në atë që është më e rëndësishme për qytetarët e Çashkës. Përgjegjësia ime është shumë e madhe dhe unë do të punoj që të gjithë të ndihen të përfshirë dhe të respektuar,” tha Shaqiri.

Kryetari nënvizoi gjithashtu rëndësinë e multifunksionalitetit të komunës, duke theksuar se Çashka do të zhvillohet duke bashkuar të gjitha komunitetet dhe duke promovuar një qasje gjithëpërfshirëse në administrimin lokal.

“Premtoj dhe garantoj se vizioni im është që shqiptarët ta marrin hisen e tyre. Nuk dua asgjë që nuk do të jetë frytdhënëse pas një muaji, një viti apo katër viteve. Jam kryetar komune që nuk e shoh aspektin populist dhe material vetëm për qëllimet personale. Zotohem se me kapacitetet e mia dhe me bashkëpunëtorët e mi, ne si shqiptarë do të ndihemi krenarë dhe do të marrim atë që na takon,” deklaroi Shaqiri.

Ai theksoi se prioriteti i tij mbetet përfitimi i drejtë i qytetarëve nga resurset e komunës dhe zhvillimi i Çashkës në mënyrë gjithëpërfshirëse, pa ndarje politike ose etnike.

“Unë jam anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim. Vij nga dega apo anëtarësia e komunës së Çashkës. Unë i rritur dhe vazhdoj të veproj të jem nën ombrellën e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe pas liderit tonë Ali Ahmetit. Sa i përket çështjeve të reformave, sigurisht nga mediumet nga pjesa e strukturës është oficialisht e caktuar se do të ketë kongres me 20 dhjetor në kuadër të BDI-së. Unë jam tepër optimist se Bashkimi Demokratike nuk është humbës, sot Bashkimi Demokratik për Integrim bashkë me koalcionin gëzojnë të drejtën e 24 mijë votave në mbarë vendin. Bashkimi Demokratike do të del edhe më i fuqishëm se është”, deklaroi Shaqiri.