Sot vazhdon gjykimi për ish-drejtorin e burgut të Shutkës, Filip Andonov-Sokol





Sot vazhdon gjykimi për ish-drejtorin e burgut “Shkup” në Shutkë, Filip Andonov–Sokol, pasi seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së disa të punësuarve. Nga Gjykata Themelore Penale e Shkupit njoftuan se seanca ishte anuluar për arsye shëndetësore të prokurorit publik, ndërsa një pjesë e të akuzuarve duhej të merrnin pjesë në një varrim.

Andonov dhe gjashtë policë të burgut akuzohen se u kanë mundësuar pesë të dënuarve privilegje që nuk u takonin sipas vendimeve gjyqësore, si dalja nga burgu për nevoja private. Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për punë të pandërgjegjshme në shërbim, por të gjithë janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë.

Aktakuza u paraqit në korrik të këtij viti, pas një aksioni të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Andonov pohon se gjatë kohës së drejtimit të tij nuk e ka shkelur kurrë Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe se akuzat ndaj tij janë të pabazuara.