Sot në Koçan nisi punën qendra rajonale për shëndet mendor dhe mbështetje psiko-sociale e Kryqit të Kuq





Ministri Azir Aliu e vizitoi qendrën, ku informoi se qëllimi është të vazhdohet me sigurimin e organizuar të ndihmës profesionale psikologjike, këshillimit dhe mbështetjes për personat e lënduar nga zjarri, familjet e tyre dhe gjithë komunitetin.
Qendra për shëndet mendor do të jetë një vend për kujdes të besueshëm dhe të sigurt, me theks në përballimin e traumës, humbjes dhe pasojave emocionale. Në fazën e parë, në kuadër të Qendrës, do të punojnë nëntë psikologë, të cilët do të ofrojnë seanca individuale dhe grupore, psiko-edukim dhe mbështetje për vullnetarët dhe të punësuarit. Kjo qendër është shembull se si duhet të duken objekte të tilla në mbarë vendin.
“Ministria e Shëndetësisë e mbështet plotësisht projektin dhe do të vazhdojë të japë mbështetje të pandërprerë për këtë iniciativë, me të cilën dëshmojmë se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa edhe ai fizik. Së bashku me Kryqin e Kuq dhe partnerët tanë, do të vazhdojmë të ndërtojmë një sistem kujdesi dhe solidariteti.”,- theksoi ministri Aliu gjatë vizitës.
Ai gjithashtu informoi se në tre vitet e ardhshme, qendra do të ketë në dispozicion një buxhet prej 150 mijë eurosh, të siguruara nga Kryqi i Kuq i Austrisë dhe i Serbisë, si dhe partnerë e donatorë të tjerë. Mjetet do të përdoren për sigurimin e pajisjeve moderne, programe edukative dhe mbështetje të vazhdueshme për stafin profesional, me qëllim që qytetarët të marrin shërbime sa më cilësore.
“Kjo iniciativë tregon vazhdimësinë e kujdesit për personat e lënduar nga tragjedia në Koçan, duke pasur parasysh se që nga fillimi, shpenzimet për trajtimin dhe rehabilitimin e të lënduarve janë mbuluar nga shteti. Pas përfundimit të trajtimit spitalor, u sigurua edhe rehabilitimi i personave të lënduar në objektin e Ponikvës. Pikërisht atje, përveç rehabilitimit dhe pranisë 24-orëshe të fizioterapistëve, u mundësua edhe mbështetje psikologjike e vazhdueshme, e cila tani vazhdon në këtë qendër në Koçan. Përkushtimi ynë është që të gjithë pacientët të marrin kujdesin shëndetësor dhe mbështetjen psiko-sociale të nevojshme.”,- përfundoi Aliu.

Sot në Koçan nisi punën qendra rajonale për shëndet mendor dhe mbështetje psiko-sociale e Kryqit të Kuq