Skandali në shëndetësi, LSDM: Publikoni emrat e mjekëve dhe klinikave

LSDM-ja opozitare edhe sot ka reaguar lidhur skandali e pacientëve të cilëve u është kryer intervenim në zemër pa pasur nevojë. Renata Mlladenovska nëpërmjet një konference për shtyp thekson që është e patolerueshme heshtja për këtë rast, duke drejtuar gishtin nga pushteti i cili sipas saj, po tenton ta fsheh. LSDM-ja insiston që të publikohet raporti i Komisionit që ka konstatuar gjetjet së bashku me emrat e mjekëve dhe klinikave të përfshira në këto operacione. Krahas kësaj, ata kërkojnë që të dorëzohen padi penale për përgjegjësit, ndërsa të dëmtuarve t’u ofrohet ndihmë psikologjike.

“Kalojnë ditë nga zbulimi i njërit prej skandaleve më të tmerrshme në shëndetësinë maqedonase, me operacione të panevojshme në zemër të kryera në klinika private.

Në vend të reagimit të menjëhershëm, në vend të publikimit të të gjitha informacioneve, në vend të përgjegjësisë – pushteti hesht prej ditësh.

Ende nuk ka paraqitur informacione të plota para qytetarëve, raporti nuk është publikuar, as të përfshirët, as kush janë mjekët, as cilat janë klinikat private.

Fshihet nga opinioni se cili prej mjekëve ka dhënë indikacion për operacionet. Dhe ende nuk është ngritur asnjë kallëzim penal.

Nuk mund të trajtohet kështu keqpërdorimi i profesionit shëndetësor për përfitim të individëve.

Çfarë pritet? Si të përpiqet dikush ta fshehë këtë rast monstruoz?

A po i jepet dikujt kohë të fshehë gjurmët, të “pastrojë” dokumente?

Një sjellje e tillë është e papajtueshme me një shtet përgjegjës, transparent dhe serioz.

Emocioni i këtij skandali është më i madh se numrat, sepse bëhet fjalë për jetë njerëzish. Flasim për njerëz që kanë kaluar ferrin dhe tani mësojnë se operacioni i tyre ka qenë i panevojshëm. Se dikush i ka parë si përfitim, si mjet për pasurimin e dikujt.

Nuk mund të fshehen skandale të tilla.

LSDM do të luftojë për publikimin e së gjithë së vërtetës dhe për përgjegjësi.

Kërkojmë:

Publikim të menjëhershëm dhe publik të raportit, në fazën në të cilën ndodhet, pa përpunime dhe pa fshehje.

Publikimin e të gjithë emrave të mjekëve që kanë dhënë indikacion për operacionet. Kjo është kyçe për zgjidhjen e mëtejshme të rastit.

Publikimin e emrave të të gjitha klinikave private dhe subjekteve të përfshira në proces dhe në marrjen e vendimeve.

Paraqitje të menjëhershme të kallëzimeve penale, pa asnjë vonesë.

Mbështetje psikologjike dhe juridike për pacientët dhe familjet që kanë kaluar këtë makth.

Ky është një skandal i rëndë që duhet trajtuar me transparencë maksimale dhe përgjegjësi maksimale.

Opinioni e meriton të vërtetën e plotë. Kushdo që ka marrë pjesë në këtë zinxhir monstruoz duhet të përgjigjet”