Siljanovska-Davkova pranoi Raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë për vitin 2025





Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pranoi shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, ambasadorin Michalis Rokas, i cili ia dorëzoi Raportin e Komisionit Evropian për përparimin e vendit për vitin 2025.

Ambasadori Rokas theksoi problemet kryesore me të cilat përballet vendi, si dhe ndryshimet që priten në periudhën e ardhshme.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit konstatuan mungesë përparimi në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe në sistemin gjyqësor, duke nënvizuar nevojën për përpjekje maksimale për reforma në këto sektorë.

U përshëndetën gjithashtu rezultatet pozitive në kuadër të Planit për Rritje, reformat në administratën publike, si dhe përparimi në Klasteret 3, 4, 5 dhe 6.

Siljanovska-Davkova shprehu vërejtje për disa nga konstatimet e raportit që lidhen me Klasterin 1, duke theksuar se vlerësimi i progresit duhet të bazohet në kriteret e Kopenhagës, dhe jo në kushte politike me të cilat Maqedonia përballet prej dy dekadash.

Ambasadori Rokas, nga ana tjetër, vlerësoi se tani është momenti më i përshtatshëm për hapa të guximshëm dhe vendimtarë në procesin e reformave, duke pasur parasysh vullnetin e hapur të liderëve të Bashkimit Evropian për mbështetje dhe ndihmë në rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.