Me Kinën që duket se po planifikon një pushtim të mundshëm të Tajvanit dhe ishullin e vetëqeverisur që po përgatitet për t’iu kundërpërgjigjur, Newsweek thotë se ka folur me analistët rreth gjendjes së përgatitjeve në të dy anët e Ngushticës së Tajvanit.
Sipas mediumit në fjalë, zyrtarët e mbrojtjes dhe inteligjencës amerikane kanë paralajmëruar presidentin kinez Xi Jinpin se ka urdhëruar Ushtrinë Çlirimtare Popullore të jetë të paktën e aftë të lëvizë kundër Tajvanit deri në vitin 2027.
Dhe admirali Samuel Paparo, kreu i Komandës Indo-Paqësore të SHBA-së, ka thënë se stërvitjet ushtarake gjithnjë e më të sofistikuara të Pekinit, duke përfshirë bllokada të simuluara, janë “prova gjenerale”.
Por hendeku midis dy ushtrive është i madh dhe po zgjerohet, vë në pah Newsweek.
Kina shpenzon afërsisht 10 herë më shumë për mbrojtje sesa Tajvani dhe tani operon marinën më të madhe në botë, të mbështetur nga një arsenal raketash në zgjerim dhe rreth 600 koka bërthamore.
Xi është zotuar të ndërtojë një “ushtri të klasit botëror” deri në mesin e shekullit, një qëllim që shihet gjerësisht si një ushtri e aftë të rivalizojë SHBA-në.
Në anën tjetër, Uashingtoni prej kohësh i ka kërkuar Taipeit të investojë më pak në armë të rënda – si tanke dhe anije të mëdha luftarake – dhe më shumë në sisteme asimetrike si dronë, raketahedhës të lëvizshëm dhe raketa bregdetare që mund të ngadalësojnë një forcë pushtimi shumë më të madhe.
Një “pushtim amfib i frikshëm”
“Zhvillimi i Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze tregon se ata po përgatiten për diçka – kjo është e sigurt”, ka thënë për Newsweek, Jyh-Shyang Sheu, bashkëpunëtor kërkimor në Institutin e Mbrojtjes dhe Kërkimeve të Sigurisë Kombëtare të Tajvanit.
Por për një pushtim, Kina do të duhej të kalonte Ngushticën e Tajvanit 80 milje (rreth 130 kilometra) të gjerë.
Andaj Sheu beson se kjo mund të pengojë seriozisht çdo përpjekje të Kinës për të zbarkuar trupa në Tajvan, duke përmendur pengesën që Kanali Anglez shumë më i ngushtë rezultoi të ishte në Luftën e Dytë Botërore.
“Kur flasim për Kanalin Anglez, është nga Franca në Dover – është vetëm rreth 30 kilometra (19 milje), por edhe kjo krijoi një vështirësi të madhe për Gjermaninë naziste për të nisur një pushtim (të Anglisë)”, tha Sheu. “Pra, për Kinën, distanca prej 200 kilometrash midis Tajvanit dhe kontinentit është ende një pengesë serioze. Edhe me teknologjitë e përparuara në ditët e sotme, ajo tirani e distancës mbetet një sfidë e madhe”.
Analistët thonë se vetëm rreth 14 nga plazhet e Tajvanit mund të mbështesin një zbarkim amfib – dhe të gjitha janë të fortifikuara rëndë.
Duke iu referuar përsëri Luftës së Dytë Botërore, Sheu vuri në dukje se në vend të një sulmi në stilin e Normandisë, Pekini ka të ngjarë të kombinojë operacione amfibe, ajrore dhe helikopterësh për të pushtuar aeroporte, portet dhe urat që mund të shërbejnë si pika hyrjeje për forcat pasuese.
Stërvitjet ajrore
Kina ka trajnuar njësitë e saj të aviacionit ushtarak për këtë lloj misioni dhe, sipas një raporti të vitit 2023 nga grupi britanik i mendimit RUSI, mund të jetë duke kërkuar ndihmën e Rusisë.
Raporti, bazuar në kontrata të rrjedhura, tha se Moska pranoi të stërviste një batalion kinez të forcave ajrore dhe të furnizonte armë antitank dhe automjete të lehta.
“Kjo për shkak se rusët kanë pajisje shumë më të zhvilluara për këtë lloj misioni”, thekson Sheu. “Nëse kjo është e vërtetë, sigurisht që Kina mund të përfitojë nga kjo”.
Për Kinën, çelësi do të ishte shpejtësia, tha Sheu, me fokus në sistemet e armëve si raketat që mohojnë qasjen në zonën e konfliktit për një ndërhyrje të mundshme të udhëhequr nga SHBA-të.
Lufta kibernetike
“Ndoshta disa ditë ose edhe brenda disa orësh”, mendon Sheu, duke përshkruar llojin e fushatës së shpejtë që Kina do të duhej të përfundonte përpara se SHBA-të ose aleatët e saj të mund të reagonin.
Për këtë qëllim, Ushtria Çlirimtare e Kinës (ÇP) ka zhvilluar mjete të luftës kibernetike dhe armë hapësinore të dizajnuara për të “verbuar” sistemet e paralajmërimit të hershëm të Tajvanit dhe për të ndërprerë komunikimet dhe për të rrëzuar infrastrukturën kritike në fillim të konfliktit.
Qëllimi do të ishte të “përpiqesh të bësh që shoqëria dhe sistemi qeveritar tajvanez të mbyllen me sulme kibernetike”.
Forcat amfibe
Një pjesë tjetër e ndërtimit të Kinës është një klasë e re e mjeteve zbarkuese të quajtura Shuiqiao, ose “ura uji”.
Çdo anije mbart një “njësi të zhvendosshme” që lejon tanket dhe automjetet të lëvizin direkt në rrugët bregdetare përtej plazheve.
“Ka pasur shumë më tepër aktivitet në lidhje me to gjatë vitit të kaluar”, kujton Bryce Barros, një analist sigurie dhe bashkëpunëtor në grupin e ekspertëve GLOBSEC.
“Gjithçka nëse ato mund të përdoren apo jo në mënyrë efektive varet nga kontrolli i plotë i ujërave dhe qiellit përreth Tajvanit nga Kina”, ka thënë ai për Newsweek, përcjell Telegrafi. “Ato janë shumë të ngadalta; janë shumë të mëdha; dhe janë objektiva të mëdha. Kjo do të thotë se do t’u duhej mbrojtje e fortë ajrore, sisteme kundër-dronëve dhe mbrojtje kundër mjeteve sipërfaqësore dhe nënujore pa pilot”.
Pastaj është anija sulmuese Tipi 076, një derivat më i madh i Tipit 075 më të vjetër që funksionon si një mini-mbajtëse aeroplanësh.
Kina gjithashtu ka zgjeruar flotën e saj të anijeve civile “roll-on/roll-off (Ro-Ro)” që pothuajse me siguri do të komandoheshin gjatë një konflikti ndër-ngushticë dhe do të ngarkoheshin me trupa dhe forca të blinduara për transport përtej ngushticës.
Megjithatë, për të vënë në lëvizje forcën kolosale pushtuese të Kinës, “do të duhet vërtet dominimi i detit dhe ajrit – veçanërisht i detit”, tha ai.
Përgatitjet e Tajvanit
Stërvitjet e fundit në Tajvan janë përqendruar në mbrojtjen bregdetare dhe operacionet e kundër-zbarkimit, ndërsa reformat kanë përfshirë mobilizimin e përmirësuar të rezervave dhe zgjatjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak të ishullit në një vit nga katër muaj.
Presidenti Lai Ching-te ka thënë se synon të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në mbi 3 për qind të PBB-së vitin e ardhshëm.
Muajin e kaluar, ai njoftoi se një rrjet i ri shumështresor i sistemeve të mbrojtjes ajrore i njohur si “T-Dome” është në zhvillim për të mbrojtur nga breshëritë e raketave që mund të çojnë në një pushtim kinez të ishullit.
Barros vuri në dukje se Tajvani po zhvillon sisteme pa pilot – nënujore, sipërfaqësore dhe ajrore – si pjesë e një strategjie asimetrike që synon të mbajë forcat kineze larg.