Shqipëria në “play-off” për Botërorin 2026 — ja kundërshtarët e mundshëm të kuqezinjve

Pas fitores 1-0 ndaj Andorrës, Kombëtarja shqiptare ka siguruar zyrtarisht pjesëmarrjen në fazën “play-off” të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Sipas formatit të ri të FIFA-s, në “play-off” marrin pjesë 12 skuadrat që përfundojnë në vendin e dytë në grupet evropiane, si dhe katër ekipe nga Liga e Kombeve, të cilat nuk kanë arritur kualifikimin direkt. Këto ekipe nga Liga e Kombeve vendosen në vazon e katërt, ndërsa tri vazot e tjera përcaktohen sipas renditjes në FIFA.

Pas raundit të tetë të ndeshjeve, Shqipëria pozicionohet në Vazon e Tretë, njësoj si Kosova, gjë që nënkupton se dy kombëtaret shqiptare nuk do të përballen mes tyre në gjysmëfinale.

Kuqezinjtë do të jenë mysafirë dhe pritet të sfidojnë një ekip nga Vazo 2, ku aktualisht ndodhen Polonia, Çekia, Hungaria dhe Skocia.

Shorti i “play-off”-it do të krijojë katër minigrupe, secili me nga katër ekipe. Do të zhvillohen gjysmëfinale teke, ku skuadrat nga Vazo 1 dhe 2 do të jenë pritëse. Fituesit do të përballen në finalen e minigrupit, gjithashtu me ndeshje teke, për të siguruar një vend në Botërorin 2026.

Datat e ndeshjeve janë:

Gjysmëfinalet: 26 mars 2026
Finalet: 31 mars 2026
Vazot aktuale të “play-off”-it

Vazo 1: Belgjikë, Itali, Turqi, Ukrainë
Vazo 2: Poloni, Çeki, Hungari, Skoci
Vazo 3: Shqipëri, Irlandë e Veriut, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë
Vazo 4: Uells, Rumani, Suedi, Moldavi

Kjo renditje historike i jep Shqipërisë një mundësi reale për të shkruar kapitullin më të madh në historinë e futbollit kombëtar, ndërsa Kosova synon ta ndjekë të njëjtin rrugëtim për një kualifikim historik në Kupën e Botës 2026.