Shpellat misterioze në Mars kanë gjurmë uji

Shkencëtarët zbuluan shpella të mëdha në Mars që duket se u formuan nga uji miliarda vjet më parë. Këto formacione mund të fshehin prova të jetës së lashtë mikrobiale.

Shpella janë krijuar nga uji acidik që ka tretur shkëmbin e planetit, një proces i ngjashëm me atë që krijon shpella karstike në Tokë. Kjo është hera e parë që shpella të tilla identifikohen në Mars.

Zbulimi u bë nga ekipi i Chunyu Ding në Universitetin e Shenzhenit, Kinë duke përdorur të dhëna nga misionet “Mars Odyssey” dhe “Mars Reconnaissance Orbiter”. Shpella ndodhen në Hebrus Valles, një zonë me kanale lumi dhe minerale të hidratuara që tregojnë se uji ka rrjedhur dikur aty.

Më shumë se 3,5 miliard vjet më parë, uji ka lënë pas depozita karbonatesh dhe sulfatesh, që sot formojnë shkëmbin rreth shpellave. Ky ambient mund të ketë ofruar një mikroklimë të qëndrueshme për jetë mikrobiale.

Shpella ofrojnë mbrojtje nga temperaturat ekstreme, stuhitë e pluhurit dhe rrezatimi ultraviolet, duke qenë më të sigurta sesa sipërfaqja e Marsit për ruajtjen e dëshmive të jetës.

Eksplorimi i tyre është i vështirë për shkak të tavanit të shpellave, por studiuesit sugjerojnë përdorimin e roverëve, robotëve ngjitës dhe dronëve ajrorë për të marrë mostra nga brenda.

Këto shpella nuk janë të përhapura kudo, por ndodhen në rajone specifike me kushtet e duhura hidrologjike. Ekspertët presin që shpella të tjera të ngjashme të zbulohen në të ardhmen.

Përveç vlerës shkencore, shpella mund të ofrojnë mbrojtje edhe për astronautët e ardhshëm nga rrezatimi dhe stuhitë e pluhurit në sipërfaqe.