Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia po punojnë fshehurazi për zhvillimin e një plani të ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainës, i kanë thënë “Axios” zyrtarët amerikanë dhe rusë.
Plani i ri amerikan përmban 28 pika, frymëzuar nga përpjekjet e suksesshme të administratës Trump për të arritur marrëveshje në Gaza. Një zyrtar i lartë rus u shpreh optimist për planin. Ende nuk është e qartë se si do të pozicionohet Ukraina dhe aleatët evropianë.
Sipas burimeve, 28 pikat e planit ndahen në katër kategori: paqja në Ukrainë, garancitë e sigurisë, siguria në Evropë dhe marrëdhëniet e ardhshme të SHBA-së me Rusinë dhe Ukrainën.
Nuk është e qartë se si plani trajton çështje të diskutueshme siç është kontrolli territorial në Ukrainën lindore, ku forcat ruse po përparojnë ngadalë, por ende mbajnë dukshëm më pak territor sesa ka kërkuar Kremlini.
I dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, po udhëheq hartimin e planit dhe e ka diskutuar atë në detaje me të dërguarin rus Kirill Dmitriev, ka thënë një zyrtar amerikan.
Dmitriev, i cili drejton një fond sovran rus të pasurisë dhe është shumë i përfshirë në diplomacinë mbi Ukrainën, ka thënë në një intervistë me “Axios” të hënën se kaloi tre ditë në diskutime intensive me Witkoffin dhe anëtarë të tjerë të ekipit të Trumpit gjatë vizitës në Miami në tetor.
Dmitriev shprehu optimizëm në lidhje me shanset e suksesit të marrëveshjes sepse, ndryshe nga përpjekjet e mëparshme, mendon se qëndrimi rus po dëgjohet vërtet.
Witkoffi pritej të takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Turqi të mërkurën, por e shtyu udhëtimin, thanë zyrtarë ukrainas dhe amerikanë.
I dërguari i Trumpit diskutoi planin me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Zelenskyt, Rustem Umerov, në një takim më parë këtë javë në Miami, konfirmoi një zyrtar ukrainas për Axios.
“Ne e dimë që amerikanët po punojnë për diçka”, ka thënë zyrtari ukrainas.
Kremlini hedh poshtë raportet se po punon me SHBA-në fshehurazi për paqen në Ukrainë
2 o. më parë / 19 nën 2025 11:14
Dmitry Peskov
Moska zyrtare ka hedhur poshtë të të mërkurën një raport të Axios se Shtetet e Bashkuara po punojnë për një plan paqeje prej 28 pikash për Ukrainën dhe ka thënë se nuk ka zhvillime të reja për të njoftuar që nga samiti i gushtit midis Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit.
Përpjekjet e Trumpit për të ndërmjetësuar përfundimin e luftës në Ukrainë, konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, deri më tani kanë dështuar, dhe muajin e kaluar ai anuloi papritur një samit të planifikuar me Putinin në Budapest.
Trumpi është përplasur në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në shkurt, por kohët e fundit ka shprehur zhgënjim dhe frustrim me Putinin, megjithëse ka thënë vazhdimisht se shpreson t’i japë fund luftës.
Kur është pyetur drejtpërdrejt nëse ishte e vërtetë, siç raportohet nga Axios, se një diskutim konceptual kishte çuar në propozime të reja për paqen që po hidheshin në letër, zëdhënësi i Kremlinit
Dmitry Peskov ka thënë se nuk ka asgjë të re lidhur me përpjekjet për paqe.
“Deri më tani nuk ka risi në këtë që mund t’ju raportohen”, është shprehur ai.
Gati katër vjet që kur Putinii dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, forcat ruse po përparojnë dhe kontrollojnë rreth 19% të Ukrainës.
Moska thotë se katër nga rajonet e saj tani janë ligjërisht pjesë e Rusisë, megjithëse Ukraina dhe fuqitë e Evropës Perëndimore thonë se nuk do ta pranojnë kurrë zyrtarisht këtë.
Putini i ka përcaktuar kushtet e tij kryesore në qershor 2024, duke kërkuar që Kievi të heqë dorë nga planet e tij për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të dhe të tërheqë trupat nga të gjitha katër provincat që Moska i pretendon si pjesë të Rusisë: Donetsku dhe Luhansku në Ukrainën lindore – të cilat përbëjnë Donbasin – plus Kherson dhe Zaporizhzhia në jug.