SHBA-ja dhe Hungaria nënshkruajnë një marrëveshje për karburant bërthamor prej 114 milionë dollarësh
Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se SHBA-ja dhe Hungaria kanë nënshkruar një marrëveshje për karburant bërthamor prej 114 milionë dollarësh, si dhe i ka përshkruar marrëdhëniet midis dy vendeve si “ngritje në nivele të reja të bashkëpunimit dhe arritjesh”, transmeton Anadolu.
Kompania amerikane ‘Westinghouse’ do të furnizojë karburant bërthamor për termocentralin ‘Paks I’ në Hungari, i cili prodhon rreth gjysmën e energjisë elektrike të vendit.
Marrëveshja u njoftua pas një takimi në Washington midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Sipas informacionit të ndarë nga Departamenti i Shtetit, kontrata “tregon synimin tonë për të filluar negociata që do të lehtësojnë bashkëpunimin në të gjithë industrinë civile bërthamore, përfshirë Reaktorët e Vegjël Modulare (SMR) dhe depozitimin e karburantit të shpenzuar”.
Po ashtu u njoftua se SHBA-ja dhe Hungaria po punojnë për ta bërë Budapestin një qendër të tregut në zhvillim të SMR-ve në Evropën Qendrore, duke përdorur “inovacionin bërthamor amerikan që udhëheq tregun për të nxitur një industri të re transatlantike”.