Sa ka fituar Michael Jackson pas vdekjes? Shifrat marramendëse dhe rekordi i ri global i filmit biografik
Që prej vdekjes së tij në vitin 2009, emri i Michael Jackson vazhdon të gjenerojë të ardhura marramendëse, duke e bërë atë një nga artistët më fitimprurës në botë – madje edhe krahasuar me ata që janë ende gjallë.
Sipas “Forbes”, pasuria e Mbretit të Popit ka sjellë 3.5 miliardë dollarë të ardhura në 15 vitet e fundit. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Jackson ka fituar 105 milionë dollarë, një shifër që ia kalon fitimeve vjetore të shumë artistëve aktivë në skenë.
Burimet e të ardhurave përfshijnë muzikën, shitjet e filmave dhe shfaqjeve, marrëveshjet e licencimit, si dhe projektet artistike që mbajnë emrin e tij. Ikona e popit mbetet një markë globale që vazhdon të prodhojë fitime të qëndrueshme.
Ndërkohë, emri i tij po shkakton një tjetër “tërmet” në industrinë e argëtimit. Traileri i parë i filmit biografik “Michael” ka thyer çdo rekord, duke u bërë traileri më i shikuar i një filmi biografik muzikor në histori. Sipas “WaveMetrix”, vetëm orë pas publikimit më 8 nëntor, ai arriti 116.2 milionë shikime në mbarë botën, duke u kthyer në një fenomen global.
Filmi, i prodhuar nga “Lionsgate” dhe i drejtuar nga Antoine Fuqua, pritet të dalë në kinema më 24 prill 2026. Rolin e Michael Jackson e interpreton Jaafar Jackson, nipi i tij, i cili sjell për herë të parë në ekran historinë e xhaxhait legjendar.
Në kast bëjnë pjesë edhe emra të njohur si:
Colman Domingo si Joe Jackson
Miles Teller si avokati John Branca
Kat Graham si Diana Ross
Nia Long si Katherine Jackson
Laura Harrier si Suzanne de Passe
Kendrick Sampson si Quincy Jones
Juliano Krue Valdi si Michael-i i vogël
Suksesi i menjëhershëm i trailerit ka habitur edhe vetë producentët. Adam Fogelson, president i “Motion Picture Group” në Lionsgate, u shpreh se interesimi për filmin është “shumë më i madh se parashikimet”, duke lënë të hapur mundësinë që historia e Michael Jackson të vazhdojë edhe me një film të dytë.
Fenomeni “Michael Jackson” duket se nuk njeh kohë — dhe as limite.