Rusia njeh kufirin e Kosovës? Zëdhënësja e Lavrov: Perëndimi përcaktoi me forcë kufijtë e Serbisë





Rusia edhe njëherë luan kartën e Kosovës. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, kritikon kundërplanin e Bashkimit Europian për paqen në Ukrainë, duke lidhur paralele absurde të luftës së paprovokuar që nisi Moska zyrtare, me ndalimin e spastrimit etnik që po bënte Serbia ndaj popullatës shqiptare. Zyrtarja i drejton kritika presidentes së Komisionit Europian që kanë të bëjnë kryesisht me ndalimin e përcaktimit të kufijve me luftë.

“Ursula nuk mund të mos dëgjonte për Kosovën. Ishte Perëndimi ai që shpalli dhe, me forcë, zbatoi një ripërcaktim të njëanshëm të kufijve të Serbisë, në kundërshtim me vullnetin e popullit serb”, tha ajo, përcjell A2 CNN.

Zëdhënësja e Sergej Lavrovit, vazhdon me kritikat ndaj BE-së, duke pretenduar se me deklaratën kundër kufizimit të fuqisë ushtarake të Ukrainës po i mohon një shteti sovran të drejtën për të vendosur vetë për forcat e armatosura. Zakarova bëri sërish një paralele absurde duke përmendur faktin se Gjermania pas luftës së dytë botërore kishte pranuar kufizime të ngjashme. “Von der Leyen, si gjermane, duhet ta dijë këtë”, theksoi zëdhënësja ruse.

Zakharova vazhdoi sulmet më tej, ndërsa e quajti deklaratën e presidentes Von der Leyen se Ukraina kishte zgjedhur një fat europian si “më absurden”. Nuk është hera e parë që Rusia përdor rastin e Kosovës për të arsyetuar luftën që nisi kundër Ukrainës dhe aneksimet territoriale që ka bërë. Madje vetë presidenti Vladimir Putin njohu kohë më parë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, duke pohuar se në kartën e OKB-së është përcaktuar qartë e drejta e popujve për vetëvendosje. /a2ccn/

youtube.com/watch?v=yGqvH_PcuX4&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fa2news.com%2F&source_ve_path=MjM4NTE