Rrëzohen akuzat kundër Trump në rastin për mashtrim në zgjedhje në shtetin e Georgias

Një prokuror në Georgia të mërkurën rrëzoi zyrtarisht akuzën historike për ndërhyrjet në zgjedhje (racketeering) kundër presidentit Donald Trump dhe të tjerëve, për përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke mbyllur kështu një kapitull në një përpjekje ligjore që dikur shihej si një kërcënim serioz për të ardhmen politike të Trump.

Ky veprim do të thotë se Trump i ka shpëtuar rrezikut penal për përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj presidentit Joe Biden. Çështjet federale kundër Trump nga prokurori special Jack Smith – për ndërhyrjen në zgjedhje që çoi në trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së dhe për keqmenaxhimin e dokumenteve të klasifikuara – ishin hequr më herët, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

“Duke pasë parasysh kompleksitetin e çështjeve ligjore në fjalë — që variojnë nga pyetjet kushtetuese dhe Klauzola e Supremacisë, te imuniteti, juridiksioni, vendi gjyqësor, çështjet e gjykimit të shpejtë dhe qasja në dokumentet federale — dhe edhe nëse supozojmë se secila prej këtyre çështjeve do të zgjidhej në favor të Shtetit, ta çojë këtë çështje para një jurie në vitin 2029, 2030 apo edhe 2031 do të ishte një arritje e jashtëzakonshme”, shkroi të mërkurën Peter Skandalakis, prokurori i çështjes.

Skandalakis tha se kishte konsideruar mundësinë e ndarjes së çështjes së Trump nga ajo e të pandehurve të tjerë dhe përpjekjen për t’i gjykuar ata të parët, ndërsa prisnin përfundimin e mandatit të dytë të Trump. Megjithatë, sipas tij, kjo “do të ishte si jologjike ashtu edhe tejet e rëndë dhe e kushtueshme për Shtetin dhe për Qarkun Fulton.”

Ai tha se vazhdimi i kësaj çështjeje nuk do t’u shërbente qytetarëve të Georgias.

Akuzat historike për shpërbërje të organizuar kriminale u paraqitën kundër Trump dhe 18 personave të tjerë më 14 gusht 2023, nga prokurorja e qarkut Fulton në Georgia, Fani Willis – një demokrate e zgjedhur që nisi një hetim të gjatë në fillim të vitit 2021 mbi ndërhyrjen e supozuar të Trump në zgjedhjet e Georgias.

Hetimi filloi pak pasi u bë publik një telefonatë e janarit, në të cilën Trump ushtronte presion mbi Sekretarin e Shtetit, Brad Raffensperger— republikan —që të “gjente” votat e nevojshme që Trump të fitonte shtetin në zgjedhjet presidenciale.

Willis u largua më vonë nga çështja pas një beteje të gjatë ligjore për autoritetin e saj. Kur Trump fitoi presidencën në vitin 2024, kjo e vuri në rrezik të gjithë procesin penal. Të mërkurën, Peter Skandalakis, drejtori i Këshillit të Prokurorëve të Georgias, dha urdhrin përfundimtar.