Dy nënkalimet në lagjen Dardania në Tetovë janë bllokuar nga grumbullimi i ujit si pasojë e reshjeve të shiut, përcjell TV21. Gazetari i TV21 në Tetovë, Senat Zylbehari raporton se rreth katër vetura kanë mbetur të bllokuara në nënkalime që nga mëngjesi i sotëm. Ndërkaq, nga Qendra për Menaxhim me Kriza kërkojnë për kujdes të shtuar, sidomos në rajonin e Pollogut.
“Për shkak të reshjeve intensive të shiut në pjesë të Maqedonisë Perëndimore, veçanërisht në rajonin e Pollogut dhe Komunën e Tetovës, janë vërejtur probleme me përthithjen e kanalizimeve atmosferike dhe fekale në pjesët urbane të qytetit. Kjo ka çuar në grumbullim dhe krijim të sipërfaqeve me ujë nën nënkalimet dhe mbikalimet. Apelojmë për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes nëpër rrugë dhe shmangie të qarkullimit drejt pjesëve të lartpërmendura të infrastrukturës rrugore. Ekipet kompetente janë në terren dhe po punojnë aktivisht për tejkalimin e gjendjes”, thonë nga QMK.