Real Madridi dhe Vinicius Junior kanë arritur një marrëveshje të plotë për zgjatjen e kontratës së brazilianit përtej vitit 2027, kur ajo skadonte fillimisht, ka raportuar AS.
Rinovimi, i përshkruar nga njerëz të brendshëm të klubit si “tashmë i mbyllur”, i jep fund muajve të spekulimeve dhe siguron që 25-vjeçari të mbetet në Bernabéu për të ardhmen e afërt, pavarësisht marrëdhënies së tij të tensionuar së fundmi me trajnerin Xabi Alonso.
Bisedimet u përshpejtuan në maj, kur të dyja palët afruan ndjeshëm qëndrimet gjatë një takimi vendimtar, me disa burime që i thanë ESPN se marrëveshja ishte “shumë pranë”.
Vinicius aktualisht fiton rreth 17 milionë euro neto në sezon, përfshirë bonuset.
Edhe pse shifrat e sakta të kontratës së re nuk janë zbuluar, marrëveshja pritet të reflektojë statusin e tij si një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit dhe një pretendent i përhershëm për Topin e Artë.
Pavarësisht kritikave publike të Alonsos, përfshirë disa ulje në stol dhe deklaratat e përsëritura se asnjë lojtar, as Vinicius, nuk e ka të garantuar vendin titullar, kampi i sulmuesit ka bërë të qartë se asnjë nga këto tensione të fundit nuk do të pengojë rinovimin.
Kujtojmë se për brazilianin interesim të fortë tash e sa kohë kishin shprehur klube nga Arabia Saudite që ishin në gjendje t’i ofrojnë kontrata ‘astronomike’ për t’u transferuar në Lindjen e Mesme.