Reagon zv.ministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, pas thirrjeve raciste të huliganëve maqedonas në Prilep





Zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, ka reaguar ashpër pas incidenteve të rënda që ndodhën gjatë ndeshjes mes KF Pobeda dhe KF Shkëndija e Haraçinës në Prilep, ku u shfaqën skena huliganizmi dhe fyerje etnike ndaj shqiptarëve.

Në reagimin e saj, ajo dënoi çdo formë dhune dhe sjelljeje të papërshtatshme në ambientet sportive, duke theksuar se sporti duhet të mbetet hapësirë e respektit, garës së ndershme dhe bashkëjetesës.

“Ngjarjet e ndodhura gjatë ndeshjes ndërmjet KF Shkëndija – Haraçinë dhe KF Pobeda në Prilep janë të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë imazhin e sportit si aktivitet që bashkon njerëzit dhe nxit respektin e ndërsjellë.
Sporti nuk duhet të jetë terren për urrejtje apo përçarje, por hapësirë për garë të ndershme, solidaritet dhe bashkëjetesë,” – ka deklaruar Shaini.

Ajo ka apeluar që institucionet kompetente të ndërmarrin masa ndaj çdo akti huliganizmi, në mënyrë që stadiumet të mbeten vende të sigurta për sportistët dhe tifozët e të gjitha komuniteteve.

Në fund, zv.ministrja theksoi se Ministria e Sportit do të vazhdojë me përkushtim të promovojë zero tolerancë ndaj dhunës dhe gjuhës së urrejtjes, duke e kthyer sportin në shërbim të paqes, respektit dhe bashkimit.