Emrat e spitaleve dhe mjekëve që në mënyrë të panevojshme i kanë dërguar pacientët në operacione dhe kanë kryer ndërhyrje të panevojshme tek persona me diagnoza kardiovaskulare, do të publikohen sapo raporti i komisionit të bëhet final, deklaroi ministri i shëndetësisë Azir Aliu.
Në një intervistë për emisionin “360 gradë” në MRT1, ministri sqaroi se publikimi do të vijojë pas përfundimit të fazës së dytë të procesit, kur në komision do të përfshihen edhe tre ekspertë ndërkombëtarë.
“Fillimisht, nga aspekti etik, sepse ende është në version draft. Është e mundur që ekspertët e jashtëm të konstatojnë diçka tjetër dhe për këtë arsye duhet edhe një herë të analizohet së bashku me komisionin ekspert të jashtëm,” deklaroi Aliu.
Duke folur për rreziqet e paanshmërisë së komisionit, në të cilin marrin pjesë edhe mjekë nga spitalet private, ministri theksoi se bëhet fjalë për ekspertë profesionistë dhe se të gjitha vendimet merren me shumicë votash.
“Aty, siç thashë, nuk janë një apo dy, por 15 anëtarë. Ne kemi procesverbale nga çdo takim pune i komisionit dhe për çdo rast, për çdo lëndë, për çdo dosje – përveç pjesës administrative, edhe ajo klinike. Me projektor, me kompjuterë, kemi mundësuar që të analizohet njëkohësisht si pjesa administrative ashtu edhe ajo klinike, dhe për secilin është votuar. Ka komente për çdo gjetje,” theksoi ai.
Aliu shtoi se në komision ka edhe mjekë nga institucionet publike shëndetësore.
“Ideja është që nga 15 anëtarë të komisionit, një ose dy vota nuk mund ta ndryshojnë rezultatin,” tha ministri.
Ai paralajmëroi se raporti final do të jetë publikisht i qasshëm në faqen zyrtare të Ministrisë pas rishikimit nga ekspertët ndërkombëtarë.
“Ekspertët janë vërtet profesionistë. Do ta shihni, raporti final do të jetë i qasshëm publikisht në faqen tonë. Po presim fazën e dytë, të vijnë tre ekspertë ndërkombëtarë për të rishikuar dhe analizuar sërish raportin, dhe më pas ai do të jetë final,” deklaroi Aliu.
Pas pranimit të dokumentit final, Ministria do të përgatisë një plan veprimi për forcimin e mekanizmave sistemorë dhe parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Aliu paralajmëroi se publiku nuk duhet të humbasë besimin në shërbimet e kardiokirurgjisë dhe kirurgjisë vaskulare dhe njoftoi transparencë të plotë.
“Pikërisht për këtë duam transparencë totale me raportin final. Që në fillim e kam theksuar se ai raport nuk do të jetë vetëm një letër që jep informacione për këtë grup pacientësh të analizuar nga ekspertët, por do të jetë udhërrëfyes për ne si ministri për të krijuar ose ndryshuar ligje. Aktualisht po ndryshojmë 12 ligje, plus po krijojmë dy ligje të reja që mungojnë, por na duhen për transformimin digjital të sistemit shëndetësor. Besoni se pas raportit final dhe analizave, ato paragrafë do të shndërrohen në plan veprimi për ne. Më pas do të dalim me plan veprimi dhe me raportin final që sistemi shëndetësor të bëhet më i fuqishëm kundrejt proceseve të këtij lloji,” deklaroi ministri i shëndetësisë Aliu.