Pse ‘The Rock’ njoftoi vdekjen e Bin Ladenit para Presidentit të atëhershëm Obama

Aktori dhe ish-mundësi profesionist Dwayne “The Rock” Johnson ka treguar se si arriti të publikojë lajmin për vdekjen e Osama bin Ladenit përpara se atë ta bënte të ditur presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama.

Në maj të vitit 2011, postimi i tij në Twitter i parapriu të gjitha mediave kryesore botërore – dhe tani, gjatë një interviste në podcastin Awards Chatter të The Hollywood Reporter, ai shpjegoi se si e mori këtë informacion ekskluziv dhe pse vendosi ta ndajë publikisht kaq shpejt.

Johnson tregoi se gjithçka ndodhi ndërkohë që ai po përgatitej në dhomën e hotelit për të festuar ditëlindjen. Sipas tij, lajmi i erdhi nga “një burim shumë i besueshëm” dhe ai ndjeu menjëherë nevojën ta ndajë me publikun.

Pak kohë pasi mori informacionin, The Rock publikoi në Twitter: “Sapo mora një lajm që do të tronditë botën – Toka e të lirëve… shtëpia e trimave. JASHTËZAKONISHT KRENAR QË JAM AMERIKAN”.

Edhe pse nuk e përmendi drejtpërdrejt emrin e Bin Ladenit, aludimi ishte mëse i qartë. Konfirmimi zyrtar nga Shtëpia e Bardhë erdhi pak minuta më vonë.

Johnson theksoi se nuk kishte pasur qëllim të dilte para presidentit Obama: “Gjatë telefonatës, më thanë se presidenti do të mbante një fjalim për rreth 20 minuta. Unë thashë ‘në rregull, perfekt’. Kaluan 20 minuta… dhe rreth minutës së 25-të, unë e publikova postimin”, rrëfeu aktori.

Por, siç tha ai, presidenti ende nuk kishte dalë para publikut.

“Pastaj mora një telefonatë tjetër: ‘Presidenti nuk ka folur ende’. Mendova me vete: ‘Oh, dreq!’”, shtoi The Rock.

Aktori shpjegoi se lidhjet e tij të forta me forcat speciale amerikane ishin çelësi që ai t’i merrte këto informacione përpara mediave.
“Kam shumë miq në ushtri, në forcat speciale, tek SEAL-ët… kam gjithashtu shumë miq në CIA dhe në Pentagon”, u shpreh Johnson.

Lajmi i konfirmuar i kishte ardhur nga burime të lidhura pikërisht me ekipin e SEAL Team Six – njësia që kreu operacionin kundër Bin Ladenit. Johnson tha se e ndjeu si “detyrë patriotike” ta ndajë lajmin me publikun, ndërsa ky episod vetëm sa përforcoi imazhin e tij si njeri me lidhje të jashtëzakonshme në rrethin më të lartë të institucioneve amerikane.