Protestat e Opozitës dhe pyetja që nuk mund ta shmangim më, a kemi opozitë, apo vetëm zhurmë?

Nga Kristina Nano

Kryetare e LRE – Rinisja | Doktorante në Leadership, James Madison University (JMU), SHBA

Ka momente kur politika nuk fshihet më dot as pas logove, as pas tribunave.
Zgjedhjet e pjesëshme të 9 nëntorit ishin një nga ato momente.

Aty u pa qartë se Partitë e Vjetra dhe të ashtuquajturat “Parti të Reja” që kanë lindur prej tyre, nuk janë dy botë, janë një trup i vetëm.

Jo shumësia e siglave, por njësueshmëria e interesit.

Nga njëra anë, Partia Socialiste që ka 12 vite duke trajtuar shtetin si pronë administrative, jo si mjet të përbashkët.

Nga ana tjetër, opozita e vjetër e ricikluar, që rrotullon skenën e fjalëve, por jo boshtin e moralit.

Mes tyre, “të rinjtë” e dalë nga e njëjta fole, që bëjnë kujdes të duken të indinjuar, por jo aq sa të prishin lojën.

Zgjedhjet e 9 nëntorit e firmosën një të vërtetë të paplotësuar deri dje, Partitë e Vjetra dhe të Reja Surrogato janë grup i vetëm.
Janë Rregjimi.

Protestat, zgjidhje apo perde zhurme?

Si çdo herë kur Rregjimi futet në ankth moral, përgjigjja e refleksit është e njëjtë, Protestë.

Protestë pa strategji, pa instrumenta, pa vetëkufizim moral.

Protestë si shfryrje, jo si mjet ndryshimi.

Sot kemi një ironi të thellë historike, Sali Berisha thirret në SPAK për 21 janarin, ditën kur u vranë protestues përballë Kryeministrisë, dhe në të njëjtën frymë shpall protestë më 17 nëntor.

Pyetja nuk është nëse protesta është e lejueshme.

Protesta është e drejtë themelore.

Pyetja është, çfarë shërben kjo formë proteste sot?

A është mjet që e vë nën presion Rregjimin,
apo është skena e radhës e një opozitarizmi që e mban Rregjimin në jetë?

Kur të njëjtët aktorë që ndërtuan sistemin, që heshtën kur u kap shteti, që kanë firmosur marrëveshje natën dhe kanë ndarë institucionet me pazare, sot thërrasin popullin në bulevard, ky nuk është “rifillim”, është ritual i vjetër për të fshehur një pakt të pathënë.

Pakt i heshtur, zhurmë e lartë.

Të gjithë e shohin, askush nuk e thotë deri në fund, se Edi Rama dhe Sali Berisha nuk shohin njëri-tjetrin si kundërshtarë ekzistencialë, por si garanci të njëri-tjetrit.

Rama ka nevojë për Berishën si figurë e së shkuarës, që mban peng një pjesë të opozitës dhe e pengon lindjen e një tjetre të besueshme.
Berisha ka nevojë për Ramën si njeriun që kontrollon institucionet dhe që mund ta përdorë tensionin për të negociuar shpëtimin personal dhe politik.

Midis tyre, protesta bëhet valvul shkarkimi, populli thirret të ulë mllefin, ndërsa sistemi rri i paprekur.

Kur një njeri që po pyetet në SPAK për gjakun e 21 janarit flet për drejtësi në sheshe, nuk kemi më opozitarizëm, kemi teatër të tokës së zënë, hapësira publike përdoret për t’i paraprirë drejtësisë, jo për ta ndihmuar atë.

Protesta si taktika e “tokës së xanun”.

Protesta që ndërtohen mbi, thirrje emocionale pa objektiva të matshëm, pa platformë, pa rregull loje të qartë përballë qytetarëve, janë në fakt taktikë e “tokës së xanun” në terrenin opozitar, që të mos lejohet lindja e një opozite të re me profil moral, të mbahet gjallë ideja se “opozita” është vetëm ajo që del në bulevard me megafon, të mbytet çdo zë që thotë: “Mund të ketë edhe një mënyrë tjetër.”

Kjo lloj proteste nuk e rrezikon Regjimin Dy-palësh Rama – Berisha.

Përkundrazi, i shërben, pasi i jep Ramës alibinë se “ka opozitë” dhe se “këta janë ata që kemi pasur gjithmonë”, dhe i jep Berishës mundësinë të shfaqet si i persekutuar, jo si person që duhet të japë llogari.

Në këtë kuptim, një pjesë e protestave sot nuk janë mjet çlirimi, por element i kontratës së vjetër.

Zhurma shërben që pakti të mos lexohet.

Ku qëndron LRE – Rinisja?

LRE – Rinisja nuk është as në këtë pakt, as në këtë skenë.
Ne nuk jemi as produkt i Ramës, as produkt i Berishës.
Ne nuk kemi lindur për të zëvendësuar një lider të vjetër me një “version të vetin”.

Ne nuk besojmë te opozitarizmi i zhurmës, besojmë te opozitarizmi i matjes, i moralit dhe i projektit.

E djathta humane që përfaqësojmë, nuk përdor popullin si skenografi, por si sovran, nuk i shpall luftë institucioneve të drejtësisë, por kërkon t’i mbështesë që të pastrojnë politikën, nuk kërkon t’i shpëtojë askujt nga drejtësia, as “emrave të mëdhenj”, as “të vegjëlve”.

Për ne, një protestë e ndershme duhet të ketë, qëllim të qartë (çfarë kërkohet dhe nga kush), kufij moralë (çfarë nuk lejohet të bëhet në emër të popullit), rezultat të verifikueshëm (çfarë ndryshon nëse protesta mbaron sot).

Gjithçka tjetër është rishfaqje, jo ringjallje.

Pse LRE – Rinisja është alternativa e vërtetë

Sepse ne nuk kemi asnjë interes të fshehur, nuk presim as amnisti, as pazare, as “marrëveshje të madhe natën”, nuk kemi asnjë dosje që na mban peng nga drejtësia, nuk kemi asnjë borxh ndaj oligarkëve, asnjë “kandidat privat”.

Ne jemi opozitë me Regjimin sepse, nuk kemi qenë pjesë e tij, nuk kemi firmosur asnjë marrëveshje që mban këtë sistem në këmbë, nuk kemi frikë se çfarë mund të dalë nesër nga SPAK-u, sepse nuk kemi jetuar me logjikën “do rregullohemi”.

Ne besojmë se, shteti duhet të jetë i hapur, i lexueshëm, i kontrollueshëm, ekonomia duhet të jetë me punë, jo me nderime klienteliste, politika duhet të jetë deri në fund në anën e ligjit, jo në krah të rastit.

Çfarë do të thotë opozitarizëm i vërtetë sot?

Opozitarizëm i vërtetë sot, në Shqipëri, nuk do të thotë, të ulërasësh më fort në protestë, të shash më shpesh në studio, të qarkullosh popullin rrugëve sa herë që hapet një dosje.

Opozitarizëm i vërtetë do të thotë, t’i thuash “po” drejtësisë edhe kur prek “të tuat”, të mos lëshojsh parime për hir të një fronçine më shumë në parlament, të ndërtosh një kulturë të re politike ku njerëzit e dinë se çfarë mund të presin nga ti dhe si do të matet kjo.

Protesta e nesërme nuk ka vlerë nëse nuk është e sinqertë sot.

Dhe asnjë thirrje në bulevard nuk mund të zëvendësojë përgjigjen në sallën e gjykatës.

Zgjedhjet e pjesëshme të 9 nëntorit dhe protestat e 17 nëntorit, dy fotografi brenda të njëjtit film, ku 9 nëntori tregoi se sistemi zgjedhor mund të simulojë garë, ndërsa në fakt mban në këmbë të njëjtat fytyra, dhe 17 nëntori rrezikon të bëhet dita kur zhurma politike tenton të mbulojë faktin se një lider i së kaluarës ndodhet përballë drejtësisë për 21 janarin.

Pyetja që çdo qytetar duhet t’ia bëjë vetes është e thjeshtë:

A po më thërrasin për të ndryshuar Shqipërinë apo për të shpëtuar dikë nga përgjegjësia?

Rinisja, më shumë se protestë, vizion.

LRE – Rinisja nuk e përjashton protestën. Përkundrazi, e respekton si mjet demokratik.
Por ne nuk duam protestë pa vizion, pa projekt, as frymëmarrje emocionale pa horizont.

Ne po ndërtojmë, një të djathtë humane, që e sheh njeriun jo si figurant, por si masë të çdo vendimi, një opozitarizëm të përgjegjshëm, që nuk prish për të rënë në pazare, por sfidon për të ndërtuar mbi moral, një alternativë politike që nuk bërtet “më jep”, por thotë “ja si matet”.

Nuk jemi kundër protestës, jemi kundër abuzimit me protestën.
Nuk jemi kundër zemërimit të njerëzve, jemi kundër përdorimit të zemërimit si mburojë personale.

Regjimi i sotëm ka shumë fjalë, shumë skena, shumë flamuj.
Por në fund, ai ka një qëllim të vetëm: të mbijetojë vetveten.

Ne kemi një qëllim tjetër, të ngrihet një Shqipëri ku politika nuk përdor qytetarin, por i përgjigjet atij.

Partitë e Vjetra dhe të Reja Surrogato i takojnë të shkuarës së zgjatur.

E ardhmja mban një emër, Rinisja.

Kristina Nano

Kryetare e LRE – Rinisja | Doktorante në Leadership, James Madison University (JMU), SHBA