Mijëra qytetarë dhe prindër të viktimave nga zjarri në lokalin e natës në Koçan kanë marshuar në kryeqytetin Shkup, duke kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie për humbjen e 63 personave në mars të këtij viti.
Protestuesit u tubuan në sheshin “Maqedonia” dhe më pas qëndruan në heshtje për 3 minuta në Portën “Maqedonia”, duke vazhduar drejt shtëpisë ligjvënëse për të përfunduar përpara ndërtesës së Gjykatës Themelore Penale.
Ata gjatë marshit brohorisnin slogane dhe mbanin pankarta, ndër të cilat, “63 hije do t’ju ndjekin, çdo vështrim kërkon drejtësi” dhe “Sa jetë fëmijësh duhet të shuhen që ju të zgjoheni”.
Para ndërtesës së Kuvendit, të pranishmëve iu drejtua Natalija Gjorgjieska, bashkëshortja e Andrej Gjorgjieski nga grupi DNK, i cili humbi jetën duke performuar natën e 16 marsit në lokalin e natës.
“Nuk po kërkojmë mëshirë dhe dhembshuri, po kërkojmë drejtësi, të vërtetën, procedura të drejta dhe një garanci se asnjë familje tjetër nuk do të zgjodhet në natën që ne e përjetuam”, tha Gjorgjieska.
Më tej, ajo tha se askush nuk është i mbrojtur kur institucionet nuk e bëjnë punën e tyre dhe theksoi se kjo nuk është një thirrje politike, por një thirrje e sinqertë për drejtësi, për të vërtetën dhe për njerëzimin.
Organizatorët e marshimit thanë se janë të vetëdijshëm se rruga drejt drejtësisë do të jetë e gjatë dhe e vështirë, e mbushur me “rezistencë dhe qëllime të shtrembëruara”, por theksuan se nëse të gjithë qëndrojnë pranë njëri-tjetrit sistemi i drejtësisë nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të veprojë siç kërkon populli.
Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmjeje argëtuese dhe si pasojë jetën e humbën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë mbetën të plagosur. Nga hetimet pas incidentit rezultoi se objekti në fjalë vepronte me licencë të rreme dhe me vite ka funksionuar pa i plotësuar standardet e kërkuara.
Gjykimi për tragjedinë në Koçan do të fillojë më 19 nëntor. Në këtë çështje janë të përfshirë 35 individë dhe tre persona juridik, gjykimi i të cilëve do të zhvillohet me një ritëm prej dy seancash në javë, me datat fillestare të përcaktuar për 19, 25 dhe 26 nëntor.