Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, ku AKI-ja humbi pothuajse në të gjitha komunat shqiptare, kanë nisur edhe kalime të figurave politike nga partitë opozitare tek ato të pushtetit.
Mbrëmë, tre të rinj, Ujkan Rahmani, kryetar i FRASH-Tetovë, Ferihane Murtezani, nënkryetare, dhe Safet Asani, nënkryetar – të gjithë nga partia e Arben Taravarit, kaluan në kampin e Izet Mexhitit.
Sipas burimeve të portalit TS, në ditët në vijim pritet të ketë kalime të tjera të figurave të nivelit më të lartë nga krahu i ASH–Taravarit drejt Arben Fetahut, edhe pse ky i fundit zyrtarisht nuk ka parti politike.
“Pritet të kalojnë disa emra që nuk dëshirojmë t’i bëjmë publikë tani. Ditëve në vijim do të bëhen publike. Janë emra të nivelit të lartë në parti”,
thonë burime të besueshme nga krahu i Arben Fetahut për TS që nuk e mohojnë edhe kalime të deputetëve.
Nga ana tjetër, portali TS gjithashtu mëson se para ose pas Vitit të Ri disa deputet të AKI-së do të bëjnë disa lëvizje të vogëla ose shkëputje nga AKI-ja në një grup parlamentar pa parti politike ose do të bashkohen me një parti të koalicionit VLEN në LD-në e Izet Mexhitit apo në krahun e Arben Fetahut.
Ndërkohë që pritet të ketë kalime të figurave nga AKI në VLEN, vetë koalicioni VLEN mund të përballet me një konflikt të brendshëm për postin e të parit të koalicionit. Deri më tani, gjasat më të mëdha për ta udhëhequr VLEN-in si parti të vetme i kanë Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse njëri prej tyre do të tërhiqet, ose nëse do të zbatohet varianti i rotacionit – me ndryshim të kryetarit çdo gjashtë muaj.
Ndryshe nga AKI vazhdojnë të deklaronjë se do të mbeten të bashkuar, ndërsa BDI pritet të mbajë kongresin e partisë më 20 dhjetor ku pritet të shkarkohen shumica e anëtarëve të kryesisë për shkak përgjimeve dhe humbjes në zgjedhjet lokale./TS/