Policia Financiare hynë në Klinikën e Kardiokirurgjisë, pagat mjekëve kanë arritur në 250 mijë denarë





Policia Financiare javën e kaluar dhe dje ka kryer kontrolle në Klinikën e Kardiokirurgjisë pas një denoncimi anonim për keqpërdorime serioze. “Sloboden Peçat” ka pasur qasje në kallëzimin e ardhur në gusht, ku pretendohet se klinika për dy vite me radhë ka përdorur materiale mjekësore të marra “borxh”, në vend se të bliheshin përmes tenderit, gjë që nuk ka mundur të evidentohet në shpenzimet ndaj pacientëve.

Për këtë arsye, në inventarët vjetorë janë paraqitur mospërputhje të mëdha – mungesa dhe teprica që, sipas denoncuesit, e kanë ndryshuar artificialisht buxhetin. Inventari për vitin 2024, i cili ende nuk është korrigjuar, tregon një tepricë prej rreth 60 milionë denarësh.

Në kallëzim përmenden edhe paga jashtëzakonisht të larta për disa mjekë – mbi 250.000 denarë në muaj – si dhe parregullsi në oraret e punës dhe në evidencën elektronike të prezencës. Thuhet se shpërblime kanë marrë vetëm disa infermiere të përzgjedhura.

Drejtori i klinikës, dr. Dejan Dimitrovski, konfirmoi se dokumentacioni për periudhën 2022–2025 është dorëzuar për kontroll dhe ka kërkuar që verifikimi të zgjerohet edhe për vitet nga 2015 e tutje “për transparencë të plotë”.

Policia Financiare nuk ka dhënë përgjigje për “Sloboden Peçat”.

Klinika përballet gjithashtu me mungesë të anesteziologëve, ndërsa publiku po ndjek edhe hetimin e Ministrisë së Shëndetësisë për operacione të mundshme të zemrës pa indikacion mjekësor, nga të cilat sipas të dhënave fillestare 10 nga 19 nuk kanë pasur nevojë mjekësore.