Plani i Trumpit për paqe, Zelensky: Ukraina në momentet më të vështira në histori

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar momentet më të vështira në histori për popullin e tij, në kohën kur Ukraina po ndodhet në presion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të bëjë lëshime karshi Rusisë pushtuese.

Në një fjalim të publikuar 10-minutësh, Zelensky ka paralajmëruar ukrainasit se shteti gjendet në “momentet më të vështira në histori” dhe se do ta gjejë veten përballë një zgjedhje të vështirë “ose të humbë dinjitetin, ose rrezikun e humbjes së një partneri kyç”. Pra ose t’i pranojë 28 pikat e propozuara nga SHBA-ja ose “do të përballet me një dimër ekstremisht të vështirë”.

Zelensky ka thënë se partnerët e Ukrainës presin që ai t’i japë përgjigje së shpejti planit. Ai është zotuar se do ta mbrojë Kushtetutën e Ukrainës.

“Nuk do ta tradhtoj kurrë. Interesi kombëtar ukrainas duhet të merret në konsideratë”, ka thënë ai.

Zelensky është zotuar se do të punojë për zgjidhje konstruktive dhe se është i gatshëm “të paraqesë argumente e të ofrojë alternativa”. Ai ka shtuar se nuk do të lejojë kurrë që të krijohet përshtypja sikur Ukraina nuk dëshiron paqe. “Kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë ai.

Zelensky ka thënë se zyrtarët ukrainas do të punojnë përgjatë fundjavës dhe javës së ardhshme për të përmirësuar këtë plan, ashtu që në mesin e pikave të paktën dy të mos humbjen – “dinjiteti dhe liria e ukrainasve”.

“Sepse gjithçka tjetër bazohet në këtë – në sovranitetin tonë, pavarësinë tonë, tokën tonë, njerëzit tanë. Dhe të ardhmen ukrainase”, ka thënë ai.

Zelensky ka thënë po ashtu se po merr përkrahje nga partnerët evropianë. Sipas tij, evropianët e kuptojnë se “Rusia nuk është aq larg… dhe se Ukraina është e vetmja mburojë që ndan jetën e rehatshme të evropianëve nga agresioni i Putinit”.

Ai ka thënë se e vlerëson heroizmin e kombit ukrainas teksa luftojnë përballë pushtimit rus, por ka theksuar se ukrainasit janë nën presion të paimagjinueshëm nga sulmet e përditshme.

Duke iu kthyer nisjes së pushtimit në shkallë të plotë më 2022, Zelensky ka thënë se i kërkon popullit unitet dhe ndalje të lojërave politike.

“Nuk e kemi tradhtuar Ukrainën atëherë, e nuk do ta bëjmë as tash”, ka thënë ai. Pas kësaj fjalie ai ka pranuar se “java e ardhshme do të jetë shumë e vështirë” me “shumë presion” që të arrihet pajtimi për lëshimet e dhimbshme për çka ka thënë se nuk do të lejohen.

“Ukraina do të punojë me diplomaci për të arritur paqen për hir të ‘paqes sonë… dinjitetit tonë… lirisë tonë…”, ka thënë ai.

“Lavdi Ukrainës” ishte përshëndetja e tij e zakonshme në fund të videos së publikuar nga Presidenca Ukrainase.

Një ditë më parë u raportua për një plan të heshtur të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. E të premten u publikuan 28 pikat që përfshinin lëshime territoriale të Ukrainës dhe që ato të njihen edhe nga SHBA-ja si territore ruse, shmangie të anëtarësimit në NATO dhe amnisti për veprimet e palëve gjatë luftës.