Përvjetori i pavarësisë, Rubio me fjalë të mëdha për Shqipërinë: Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar shqiptarët për festen e 29 Nëntorit.

Në mesazh e urimit të tij për nder të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ai ka kujtuar aleancën e Shqipërisë me ShBA-në.

Ai ka bërë me dije se të dy vendet gëzojnë një partneritet të fortë.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to”, është thënë në mesazhin e sekretarin e shtetit amerikan.

Ai ka përshëndetur hapat e Shqipërisë në adresimin e kërcënimeve kibernetike.

“Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe e përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike. Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.”, ka shkruar Rubio.

Edhe liderët politikë të Kosovës e kanë uruar Shqipërinë dhe shqiptarët për festen kombëtare të 28 Nëntorit.

Duke kujtuar përpjekje e mëdha të shqiptarëve për këtë ditë, ata kanë vlerësuar se Dita e Flamurit i mbush shqiptarët me krenari.

Në urimet e tyre, ata janë shprehur optimist për të ardhmen evropiane të shqiptarëve.

Ndër të paret që ka uruar qytetarët e Kosovës për këtë ditë ka qenë lideri i VV-së, Albin Kurti.

Duke folur për nëntorin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, ai ka thënë shqiptarët i kanë kthyer sytë nga e ardhmja, nga një Nëntor të Tretë.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka shkruar se ky nëntor duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona.

“Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt! Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste: Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!”, ka shkruar Kurti.

Kurse kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka vlerësuar se kjo festë i mbush me krenari gjithë shqiptarët.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo ditë simbolizon çdo hap të rëndësishëm në rrugën tonë drejt lirisë.

“28 Nëntori na mbush me krenarinë e të qenit shqiptarë. Nga flamuri i Skënderbeut në Krujë dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, deri te ditëlindja e komandantit Adem Jashari, kjo ditë simbolizon çdo hap të rëndësishëm në rrugën tonë drejt lirisë. E kuqja dhe e zeza, sot nuk janë vetëm ngjyra. Janë Shqipëri. Janë betim për një të ardhme prosperuese për shqiptarët. Gëzuar dhe festofshim gjithmonë me dinjitet!”, ka shkruar Hamza.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka uruar Ditën e Flamurit.

Ai ka postuar një video të vajzave të tij duke i kënduar flamurit dhe heronjve kombëtar.

“I këndojmë 28 Nëntorit me Erën e Rozin. Urime të gjithë shqiptarëve!”, ka shkruar Abdixhiku.