Pasholli: Unë dhe Blerim Bexheti nuk jemi shkarkuar, por me vetiniciativë kemi dorëzuar shkresat për tërheqjen





Deputetja e Frontit Europian, Arbana Pasholli, ka reaguar sot përmes një postimi publik duke hedhur poshtë lajmet që kanë qarkulluar lidhur me “shkarkimin” e Blerim Bexhetit nga pozita e koordinatorit të grupit parlamentar të Frontit Europian.

Në reagimin e saj, Pasholli thekson se bëhet fjalë për një vendim të dakorduar dhe të ndërmarrë me mirëkuptim, e jo për ndonjë shkarkim apo mosmarrëveshje brenda grupit.

“Për hir të transparencës, dëshiroj të sqaroj se lajmet që po qarkullojnë për ‘shkarkimin’ e z. Blerim Bexheti nga pozita e koordinatorit të grupit parlamentar të Frontit Europian nuk qëndrojnë.
Sot, me mirëkuptim dhe vetëiniciativë, kemi dorëzuar shkresat për tërheqjen nga funksionet, z. Bexheti si koordinator dhe unë si zv. koordinatorе e grupit parlamentar të Frontit Europian”, – ka shkruar Pasholli.

Ajo ka njoftuar gjithashtu se pas konsultimeve dhe me pëlqimin e Kryesisë Qendrore, janë propozuar Rina Ajdari si koordinatore dhe Dijana Toska si zëvendëskoordinatore të reja të grupit parlamentar, njofton TS.

“Ky proces, i dakorduar më herët, sot është formalizuar në mënyrë institucionale dhe do të finalizohet në ditët në vijim. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me përkushtim për ta çuar përpara misionin e Frontit Europian me përgjegjësi dhe frymë bashkimi”, – ka theksuar ajo.

Ky sqarim i Pashollit vjen në një kohë kur në disa media janë shfaqur raportime të pasakta për ndryshimet brenda strukturave parlamentare të Frontit Europian./TS