Osmani për serbin e rrëmbyer brenda territorit të Kosovës: Krim dhe provokim i rëndë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Millan Vukashinoviq, i cili u plagos dhe u rrëmbye më 1 nëntor brenda territorit të Kosovës, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe se ambasadori i Kosovës në Beograd nuk është lejuar ta vizitojë atë.

Osmani në një deklarim para mediave, këtë akt e ka cilësuar si krim dhe provokim të rëndë nga ana e Serbisë, duke e përshkruar si një tentim për vrasje.

“Po, siç e dini edhe sipas të dhënave kadastrale, ajo është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës. Sa i përket hetimit që po e bëjnë institucionet tona në bashkëpunim me institucionet e sigurisë së shteteve aleate, ne ende po presim konkluzionin final. Megjithatë, sa i përket informatave të deritanishme që kemi nga institucionet e sigurisë, është se ka qenë brenda territorit të Kosovës. Por përtej kësaj, përtej çështjes se ku ka ndodhur, pavarësisht se ku të ketë ndodhur kjo, prapëseprapë është krim dhe provokim i rëndë, dhe është tentim vrasjeje i institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës së Kosovës. Pra, nëse edhe kjo të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë, gjë që nuk është e vërtetë, por edhe sikur të kishte ndodhur, përsëri është provokim i rëndë në kundërshtim me synimet për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë, gjë që Serbia vazhdimisht e rrezikon”, tha Osmani.

Ajo po ashtu ka treguar se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë lidhur me këtë rast.
“Si presidente, që nga dita e parë, vazhdimisht jam në komunikim me përfaqësues të shteteve të QUINT-it, por edhe përfaqësues të tjerë lidhur me këtë që ka ndodhur dhe me këtë shkelje të rëndë nga ana e Serbisë. Po ashtu, përfaqësuesi ynë në Beograd, ambasadori Jashari, ka tentuar ta vizitojë disa herë të plagosurin, mirëpo nuk është lejuar nga ana e spitalit. Informatat që kemi janë se ai është në gjendje të rëndë shëndetësore. Institucionet tona janë në komunikim edhe me familjarët e të plagosurit, qytetarit tonë, dhe po ashtu me gjithë dëshmitarët që e kanë parë ngjarjen dhe çfarë ka ndodhur”, deklaroi presidentja.