ODISEADA E NJË MËRGIMTARI

Shkruan: Merxhan Jakupi

Firma ku punonte kishte organizuar enkas një koktej për daljen e tij në pension. Ditën që kishte dalë në pension, përveç ditëlindjes së 65-të, kishte edhe jubileun e 43 vjetorit të punës në Gjermani. Ishte pranverë, viti 1964. Kishin dalë ta përcillnin deri te kulla e katundit. Ishte gjenerata e parë që nga ky katund, me dhjetëra djemë dhe burra shkonin të punonin në një minierë të Gjermanisë Perëndimore.
Mërgimtari, atë mbrëmje, nuk e zuri gjumi deri vonë. Të kthehej në vendlindje, ose të jetonte në këtë shtet, ku e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës? U ngrit nga shtrati, mori një fletushkë dhe stilografin dhe filloi të bënte një bilanc të gjithë karrierës së jetës. Gati 43 vite, tha me vete, kam dërguar në vendlindje afro një milion marka. “Zoti e bekoftë këtë popull!”, tha me vete. Kam punuar me hakikat, përshpëriti dhe radakja përsëri filloi ta kthente në të kaluarën.
“Po sikur të kisha punuar në kooperativë si bari? Ose në Beograd si sharaxhi apo qymyrxhi?, po e pyeste veten. Atje, ku së bashku me pesë a gjashtë kolegë pune, flinim në një bodrum, ku morrat natën nuk i linin të bënin gjumë. Ai po rikujtonte se si pas punës si hamallxhi, dilte tek stacioni i trenit për të bartur valixhet e zonjave dhe zotërinjve dhe ku e thirrnin në gjuhën serbe “Mali Shiptarçiç” (Shqiptari i vogël).
Nërkohë po e rikujtonte momentin, kur në firmën ku punonte, i kishte thënë pronarit se për një vit kishte fituar afërsisht 8.000 marka gjermane. I habitur, shefi me buzëqeshje ia kishte kthyer: “Po unë, si firmë, nuk kam fituar aq shumë! Normalisht, duhej të të kishin mbetur të paktën një mijë marka për Krishtlindje ose për pushime. Ti nuk i ke fituar këto marka, por i ke ndarë nga kafshata e bukës dhe nga shpirti”.
Kujtimet po i silleshin vërdallë dhe sakaq po i vinin fragmente nga vendlindja. I kujtohej se si rrugicave të ngushta, pranë një kroi, kuajt ktheheshin te korita për të pirë ujë. Vëllai njërin kalë po e tërhiqte mënjanë sepse ishte djersitur. Mërgimtari ishte i përhumbur dhe kishte nostalgji. I kujtohej se si, dikur, bashkë me babain dhe xhaxhanë punonin arave.
Mërgimtari kishte zbritur nga kali dhe i kishte thënë vëllait:-Dua të ec këtyre rrugicave, ku çdo gur, lis e kodrinë i njoh. I kam shkelur me pëllëmbë këmbësh që në fëmijëri.
Filloi të vriste mendjen. Donte të shkëputej nga ngacmimet e djallit. Sërish bëri një bilanc. Kishin kaluar plot 25 vite që ishte larguar.
Në gjithë këto vite, duke llogaritur pushimet , një herë ose dy herë në vit, nga dy a tri javë, ai kishte qëndruar me familjen, gruan dhe fëmijët, gjithsej jo më shumë se tre vite. Shtrëngoi dhëmbët dhe filloi me duar t’i fshijë lotët .
Ajo që e mundonte më së shumti mërgimtarin në qytetin ku punonte ishte pamja e prindërve që shëtisnin me fëmijët e tyre nëpër bulevarde e kopshte,duke i përkëdhelur, duke i puthur, babai që mbante fëmijën për dore, burri e gruaja që shëtisnin dorë për dore,ose vajzat me djemtë që përjetonin dashuri si dhe prindërit teksa përcillnin fëmijët në stacion, për në ndonjë shëtitje dimërore ose verore.
Vitin që kishte shkuar në mërgim, i kishte lindur fëmija i parë, vajza, që tash ishte ishte martuar, dhe tashmë kishte nipa e stërnipa. I kujtohej kur vajza ishte vetëm katër vjeç. Ishin vetëm në dhomë, dhe ai e përkëdheli dhe puthi me mall.Në një moment, ajo u largua e frikësuar. Kur hyri në dhomë i ati i tij, vajza vrapoi drejt tij, duke ofsharë e qarë: O babë! O babë! U hodh në gjoksin e tij, dhe filloi ta puthte e t’i ledhatonte mjekrën e bardhë. Mërgimtari u rrënqeth, e kaploi melankolia dhe ankthi.
Kur shkonte me pushime, pesë fëmijët, dy vajzat dhe tre djemtë, ndiheshin inferior ndaj tij dhe ai vërente se iu mungonte dashuria, sikur të ishte një i huaj për ta dhe jo prind.
I kujtohej kur vajzat kishin hyrë në moshën e pubertetit. Kur një herë hyri papritur në dhomë, ato u vajzat të skuqura në fytyrë kishin dalë nga dhoma. I zhytur thellë në mendime, duke bërë monolog me veten, mërgimtari tha: Sikur ne shqiptarët të kemi bërë mëkate e padrejtësi ndaj Zotit. Sikur Zoti të na ketë mallkuar neve shqiptarëve.
“Të gjitha komunitet tjera, serbët, kroatët, boshnjakët, e lëre më turqit, italianët, në mërgim jetojnë bashkë me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Vetëm ne shqiptarët të mjerë e të vuajtur, e kemi kaluar jetën larg familjes.Të gjitha nuset e reja mbetën si të veja për gjithë jetën. Të gjithë fëmijët u rritën pa prindërit e tyre si jetimë. Edhe burrat e mjerë jetuan si të vejë, si viktima të fatit. Dhe në fund, kur ktheheshin, ishin të frustruar, të sëmurë, të mplakur e të huaj në vendin e tyre”, po i pëshëriste vetes mërgimtari me një trishtim të thellë.