Juventusi u ndal në barazim 1–1 ndaj Fiorentinës në javën e 12-të të Serie A, por vëmendjen pas ndeshjes e mori mungesa e Edon Zhegrovës. Anësori kosovar nuk u aktivizua fare, duke habitur shumë tifozë, të cilët prisnin ta shihnin në fushë.
Sipas gazetarit italian Dario Pellegrini, arsyeja qëndron në një episod të ndodhur pak para fillimit të takimit. Gjatë nxehjes, Zhegrova është përfshirë në një shkëmbim të nxehtë me tifozët e Fiorentinës, të cilët e vërshëllyen dhe e provokuan. Futbollisti raportohet se u është kundërpërgjigjur me një gjest të papërshtatshëm, çka ka sjellë reagimin e menjëhershëm të trajnerit Luciano Spalletti.
Tekniku italian, sipas burimit, e ka konsideruar sjelljen e Zhegrovës të papranueshme dhe ka vendosur ta ndëshkojë duke mos e hedhur në fushë asnjë minutë në këtë sfidë. Situata pritet të trajtohet edhe brenda skuadrës gjatë ditëve në vijim.