Njohja e Kosovës nga Siria “thyen gurin” në murin e mosnjohjeve

Me njohjen e Kosovës nga Siria, është thyer një gur i rëndësishëm i mosnjohjeve të vendeve të Lindjes së Mesme karshi shtetit tonë.

Kështu e sheh profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Dritëro Arifi këtë arritje të radhës të Kosovës.

Për Klankosova.tv, ai thotë se fotografia “pro-ruse” dhe “anti-amerikane” në Lindjen e Mesme, ka nisur të ndryshojë, dhe sipas tij, kjo mund ta shpie Kosovën në drejtim të njohjeve të reja.

“Është një moment pozitiv i lëvizjes tonë drejt njohjeve ndërkombëtare. Pra me njohjen e Kosovës nga Siria, po themi kushtimisht, figurativisht, është thyhet një gur shumë i rëndësishëm i mosnjohjeve që ka qenë Siria, pra po flasim për Sirinë e kohës së Assadit, një president që ka qenë shumë i orientuar nga politikat pro-ruse, dhe pro-iraniane, respektivisht anti-amerikane, dhe kjo në njëfarë mënyrë e ndryshon fotografinë e Lindjes së Mesme, dhe krijohet një momentum i mirë, një efekt pozitiv i cili mund të na shpie në njohje të reja, duke parë që ka lëvizshmëri të madhe në Lindjen e Mesme, pra një ripozicionim i disa shteteve më shumë pro-amerikane, që i bie rrjedhimisht, ato mund të bien në influencën amerikane dhe mund të kenë njohje më shumë. Por, nuk duhet harruar edhe efektin e Turqisë dhe Arabisë Saudite, pra është ky trinomi i cili po luan një rol në Lindjen e Mesme, dhe ajo mandej në mënyrë reflektive shpërndahet në njohje duke u kuptuar si një lloj afrimi me politikën e jashtme amerikane”, u shpreh ai.

Arifi po ashtu deklaron se njohja e Kosovës nga Siria, në prapavijë është fitorja më e madhe e ShBA-së në Lindjen e Mesme.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare thotë se kjo njohje mund të ketë një efekt “domino” në vendet arabe që ende s’e kanë njohur Kosovën.

“Me një lloj instalimi të paqes në Lindjen e Mesme, dhe pozicionimin e arabëve karshi Amerikës, në kuptimin pozitiv, kjo po e dëshmon që tash edhe Kosova e ka një dritare të hapur që mund të krijohet një ‘domino efekt’ dhe më i shpejtë, por unë prapë mendoj që pa ndonjë koordinim specifik, do të jetë e vështirë që të kemi suksese më të mëdha. Pra normalisht që ne duhet bërë 99% të punës, por ai 1% është shumë i rëndësishëm që të kemi një koordinim më të madh me Katarin, Arabinë Saudite, Turqinë gjithsesi, dhe ShBA-në. Pra besoj që me këtë koordinim, Kosova nuk do ta kishte problem në rrethanat e krijuara në Lindjen e Mesme të arrijë të marrë më shumë njohje”, u shpreh profesori për Klankosova.tv.

Derisa ai e quan këtë njohje, fitore edhe për Turqinë, “pra për influencën turke në atë pjesë të botës”.

Por, cilat janë pengesat më të mëdha që e ndalojnë njohjen e Kosovës nga vendet si Irani apo Iraku?

Airifi mendon se njohjet nga Irani dhe Iraku janë problematike. Madje, ai thotë se sa i përket Iranit, është pothuajse e pamundur, për shkak se Irani është nën influencën ruse, dhe kjo do të jetë një betejë për të ardhmen e afërt apo të largët.

Ndërkaq, sa i përket Irakut, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare mendon se ka një probabilitet të vogël.

Megjithatë, ai thotë se kjo varet shumë, pasi Iraku është i varur nga dy ndarje të mëdha fetare, dhe kjo mbetet për t’u parë.

E që vendi të ketë më shumë sukses në arenën diplomatike ndërkombëtare, Arifi thotë se është me rëndësi që Kosova të ketë koordinim dhe bashkëpunim, pasi thotë se “ky koordinimi është neglizhuar këto pesë vjetët e fundit”.

“Pra, me një koordinim më specifik me ShBA-në, Turqinë dhe Arabinë Saudite, edhe vendet e tjera arabe, mund të krijohet një momentum që mund të kemi një paketë të njohjeve për shkak të rrethanave të krijuara. Prandaj duhet punë në politikën e jashtme, duhet një krejt tjetër koncept, jo vetëm për vendet e Lindjes së Mesme, por edhe për vendet e tjera, sidomos për vendet e BE-së”, përgjigjet ai.

Nga ana tjetër, Amir Ahmeti, ish-ambasador i Kosovës në Katar, tha për Klanin se çdo njohje është e rëndësishme për Kosovën.

Sipas tij, tani është hapur një portë e re e njohjeve për vendin, teksa shton se Kosova duhet të depërtojë direkt në të.

“Është shumë e rëndësishme për faktin që vjen pas një periudhe të gjatë të mungesës së njohjeve. Çdo njohje është e rëndësishme për Kosovën, por në këtë rast, në mungesë të rasteve të njohjes së Kosovës në këto pesë vjetët e fundit, përveç një njohjeje që ka ardhë nga Afrika, është shteti i Kenias, e cila erdhi përmes angazhimit të ish-presidentit Pacolli, pra jo me angazhimin e Qeverisë apo Presidencës së Kosovës. Mirëpo kjo njohje vjen me angazhimin e institucioneve të Kosovës, që duhet përshëndetur. Është mirë të jetë si model, se si duhet të sillen njohjet, pra me punë, me angazhim, me takim direkt me palën tjetër, me partnerët tanë”.

“Unë mendoj se është hapur rruga e njohjes nga Libani, sepse Siria ka qenë nën ndikimin ruso-iranian, ndërsa Libani ka qenë nën ndikimin e Rusisë. Kështu që kemi një portë të re, që duhet të depërtojmë”, tha ai.

Njohja e Kosovës nga Siria shënon të tretën për këtë vit, pas atyre nga Sudani dhe Kenia, në muajt mars dhe prill.

Kështu, Siria u bë shteti i 120-të që njohu Pavarësinë e Kosovës. /Klankosova.tv