“Në festival fitojnë emrat e jurive që i mbledhin nëpër pube nate ku bëjnë muzikë”, Xuxi me kritika ndaj organzimit të Festivalit të Këngës

Këngëtari i njohur, Xuxi, nuk i kurseu kritikat pas përfundimit të Festivalit të Këngës në RTK, ku konkurroi me këngën “Identitet”.

Ai reagoi ashpër përmes rrjeteve sociale, duke akuzuar jurinë dhe duke cilësuar një segment të prezantimit të moderatorëve si “denigrues dhe të pavend”.

Duke ironizuar procesin e votimit, Xuxi shkroi: “Nuk më ka lënduar votimi i jurisë mbrëmë, sepse të gjithë e dimë se tek ne në festivale ‘fitojnë’ emrat e kompozitorëve, të favoriteve të tyre e anëtarëve të jurisë që i mbledhin nëpër pube natën ku bëjnë muzikë”.

Megjithatë, pika më e ndjeshme për të ishte skenari i prezantuesve: “Por ajo që më dhemb është skenari i ndërtuar rreth ‘lahutistit’, kinse për të kujtuar Mixhen Ramë, sepse kjo ishte denigruese dhe e pavend”.

Xuxi theksoi se elementet e performancës së tij nuk ishin thjesht “kostum skene”, por bartnin një domethënie të thellë kombëtare: “Ato tirqi dhe ajo Lahutë nuk janë ‘kostum skene’, janë IDENTITET. Janë rrënjët tona, historia jonë, gjaku ynë”.

Ai gjithashtu vuri në dukje karrierën e tij mbi 40-vjeçare në skenën e të kënduarit live dhe theksoi se vlerësimin më të madh e mori nga publiku: “Publiku foli qartë mbrëmë, dhe për mua, ai është çmimi më i madh”.

Në përfundim, Xuxi shprehu zhgënjimin e tij për mungesën e ndryshimit në festival: “Sapo u rrit shpresa se ky festival do të ecë përpara pa mashtrime e vendime inatçore, u zhgënjeva prapë.

Mund ta urreni Xuxin, ama këngën kurrë. Ajo këngë meritonte të jetë në piedestal”.