Ndeshja me Anglinë në “Air Albania”, FSHF-ja njofton për masat që do të vendosin për ditën e ndeshjes
Më 16 nëntor, Shqipëria e përmbyllë kampanjën kualifikuese për Kampionatin Botëror, me një ndeshje të madhe.
“Kuqezinjtë” do t’i bëjnë konak Anglisë në stadiumin “Air Albania”
Pak para kësaj ndeshje, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar për masat që do të ndërmerren për këtë ndeshje, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit në Shqipëri.
FSHF njofton se do të vendosë tabela orientuese jashtë stadiumit në ditën e ndeshjes. Po ashtu, në njoftimin e FSHF-së thuhet se mbledhja e monedhave të zëna në kontrollet jashtë stadiumit do të bëhet nga Kryqi i Kuq.
“Në ditën e ndeshjes, stafi i stadiumit “Air Albania” do të vendosë tabela orientuese në perimetrin e jashtëm të stadiumit, për të ndihmuar tifozët të gjejnë më lehtë hyrjen dhe tribunën përkatëse sipas biletës që kanë blerë”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
“Në pikat e hyrjes së stadiumit do të vendosen kosha plastike për grumbullimin e sendeve të ndaluara, të cilat mund të zbulohen gjatë kontrolleve fizike nga strukturat e sigurisë. Gjithashtu, grumbullimi i monedhave dhe sendeve të tjera të vogla do të bëhet nga përfaqësuesit e Kryqit të Kuq”, vazhdohet më tutje.
FSHF vazhdon duke shpjeguar mënyrën e të hyrit në stadium.
“Të gjithë tifozët duhet të jenë të pajisur me biletën përkatëse për hyrjen në stadium.
Nuk do të lejohet futja e fëmijëve pa biletë, pavarësisht moshës, në mënyrë që të shmanget mbipopullimi dhe bllokimi i shkallëve gjatë ndeshjes.
Gjithashtu, tifozët paralajmërohen se biletat e dublikuara ose të falsifikuara nuk do të njihen nga sistemi elektronik i stadiumit, dhe poseduesit e tyre nuk do të lejohen të hyjnë.
Portat e stadiumit do të hapen tre orë përpara fillimit të ndeshjes, ndaj FSHF dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje tifozëve të mbërrijnë në kohë, të ndjekin udhëzimet e rendit dhe të drejtohen drejt tribunës së përcaktuar në biletën e tyre”, përfundon njoftimi i FSHF-së.
Para ndeshjes me Anglinë, megjithatë, kombëtarja e Shqipërisë do të luajë me Andorrën si mysafire, me datë 13 nëntor.
Momentalisht, Shqipëria është e dyta në grup me 11 pikë, shtatë më pak se Anglia që është e para me 18 pikë. Serbia është e treta me dhjetë pikë.
Pozita e dytë, ku është Shqipëria, të dërgon në play-offin e Kampionatit Botëror.