Murtezani: Synojmë reforma që qytetarët t’i ndiejnë





Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka marrë pjesë sot në Samitin e Liderëve për Planin e Rritjes “Rruga jonë drejt BE-së”, që po mbahet në Tiranë, ku bashkë me ministrat nga rajoni dhe përfaqësues të Komisionit Evropian ka diskutuar mbi hapat e nevojshëm për një integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian.

Murtezani theksoi se fokusi nuk është vetëm tek retorika për perspektivën evropiane, por tek vendimmarrja dhe zbatimi i reformave që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

“Qëllimi ynë nuk është vetëm të flasim për perspektivën evropiane, por të marrim vendime dhe të implementojmë reforma të cilat qytetarët i ndiejnë në jetën e përditshme”, u shpreh ai.

Në njoftimin e tij, ministri përmendi disa prej projekteve konkrete që ndihmojnë afrimin me standardet evropiane, duke përfshirë integrimin në SEPA për pagesa më të lira dhe më të shpejta, përmirësimin e lidhjes digjitale përmes programit WiFi4WB në 63 komuna, si dhe zhvillimet e reja në kuadër të Qendrës për Inteligjencë Artificiale “Vezillka”. Ai po ashtu theksoi rëndësinë e pikave kufitare më efikase si pjesë e modelit të Korridoreve të Gjelbërta.

“Vazhdojmë me punë për Maqedoni të Veriut më të fuqishme, më të sigurt dhe më evropiane, në një rajon më të bashkuar”, deklaroi Murtezani duke ritheksuar angazhimin e qeverisë për progres të qëndrueshëm në rrugën drejt BE-së.