Ministria e Brendshme e Serbisë thotë se ka arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së





Policia serbe ka thënë se ka arrestuar një person me inicialet A. Q. nën dyshimin se gjatë luftës në Kosovë, si anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjes për kryerjen e krimeve të luftës, njoftoi të martën Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Në deklaratë thuhet se i dyshuari iu bashkua shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit në prill të vitit 1998 dhe se si anëtar i Brigadës së 138-të Agim Ramadani, ai mori pjesë në sulmin ndaj rojës së Koshares në vitin 1999.

I dyshuari A. Q. (1973) është ndaluar deri në 48 orë me urdhër të prokurorit publik në detyrë për krime lufte, pas së cilës do të dërgohet në prokurorinë kompetente me një kallëzim penal.

Ndryshe, NATO-ja i nisi sulmet në caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.