Mickoski: Për shkak të Kacarskës, muajin e ardhshëm 70% e pensionistëve do të marrin pensione më të ulëta

Gjykata Kushtetuese tashmë ka marrë vendim për shfuqizimin e nenit ligjor për rritjen lineare të pensioneve dhe që nga muaji i ardhshëm shumica e pensionistëve do të marrin pensione më të ulëta — këtë e deklaroi nga foltorja e Kuvendit kryeministri Hristijan Mickoski.

Eti Promo 2025

Ai tha se, sipas informacioneve të tij, Gjykata Kushtetuese pritet të shfuqizojë edhe dispozitën për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjë që do t’i rriste ndjeshëm të ardhurat e tyre.

Sa i përket rritjes lineare të pensioneve, Mickoski deklaroi se vendimi veçse është marrë dhe nënshkruar, duke e kritikuar gjykatësen kushtetuese Dobrilla Kacarska (pa e përmendur me emër), e cila nisi procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve të fundit ligjore që sollën rritjen lineare prej 1.000 denarësh në shtator dhe po aq në marsin e ardhshëm. Ai e quajti “atë gjykatëse” si “shembull të padrejtësisë”.

“Marrë parasysh informacionet e fundit, vendimi është marrë dhe nënshkruar nga ajo dhe pensionistët nuk do të marrin rritje lineare, por rritje sipas përqindjeve të përcaktuara me ligj. Dhe për informim, kjo do të thotë se 70% e pensionistëve do të marrin pension më të ulët nga muaji i ardhshëm, për shkak të kësaj nisme të gjykatëses që është pjesë e Gjykatës Kushtetuese,” tha Mickoski.

Ai theksoi se vendimi nuk është i drejtë, duke shtuar se nuk do të habitej nëse e njëjta gjykatëse propozon edhe shkrirjen e ngrirjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Sipas buxhetit, shteti do të paguajë më pak, por a është e drejtë? Jo. Sepse gjatë tranzicionit, kur disa oligarkë privatizuan dhe shkatërruan ekonominë, shumica e pensionistëve me pensione të ulëta — 8.000, 9.000, 10.000 apo 12.000 denarë — janë viktima të atij procesi. Qëllimi i rritjes lineare ishte ulja e indeksit të pabarazisë dhe ngritja e standardit të pensionistëve,” sqaroi ai.

Mickoski shtoi edhe:
“Imagjinoni që ndërkohë vendimi i radhës i të njëjtit gjykatës do të jetë shkrirja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra, pensionistëve u hiqet e drejta, ndërsa gjyqtarëve dhe prokurorëve që ‘paguhen pak’ me 2.500, 3.000 apo 4.000 euro, do t’u rriten pagat. Ndërsa pensionistët me 10.000 apo 12.000 denarë që duhet të merrnin 1.000 denarë rritje këtë muaj, qenkan më të pasur se këta pak gjyqtarë e prokurorë që e kontaminojnë profesionin.”

Sipas Mickoskit, ky vendim është padrejtësi ndaj pensionistëve.

“Me këtë do t’u shkaktohet padrejtësi pensionistëve,” përfundoi ai.