Mexhiti falënderon Kurtin: “Miqësia mes dy qeverive është e fuqishme dhe e palëkundur”





Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka falënderuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për urimin e tij lidhur me fitoren e koalicionit VLEN në zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut.

Në një postim në rrjete sociale, Mexhiti theksoi se bashkëpunimi ndërmjet dy qeverive ka qenë i sinqertë dhe i thellë, duke shtuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej.

“Miku im, z. Albin Kurti, falemnderit për urimin për fitoret e VLEN-it në çdo cep të Maqedonisë së Veriut. Përgjatë muajve në qeveri, sa unë isha zv/kryeministër, bashkëpunimi ynë qeveritar ka qenë i sinqertë dhe i thellë. I njëjti bashkëpunim do të vazhdojë ende, sepse marrëdhëniet tona janë të fuqishme e të palëkundura,” ka shkruar Mexhiti, përcjell TS.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut dhe Kosova tashmë kanë ndërtuar një miqësi të bazuar në punë e projekte konkrete, të cilat sipas tij, forcojnë lidhjet vëllazërore dhe fqinjësore ndërmjet dy vendeve.

“Punët e mira mes dy qeverive i forcojnë lidhjet tona vëllazërore e fqinjësore,” ka shkruar Mexhiti pas urimit të Albin Kurtit.