MËRGATA, PËRPLASJET KULTURORE MES BREZAVE

Shkruan: Merxhan Jakupi
Gjatë viteve të70-ta dhe 80-ta ishte fluksi më i madh i atyre që dolën të punonin në shtetet e Evropës. Pjesa e punëtorëve ishte më së shumti nga provincat rurale. Këta mërgimtarë dolën të punonin përkohësisht pa familjet e tyre. Pas dy dekadave, ata sollën edhe familjet në shtetet perëndimore.
Mërgata shqiptare, në krahasim me komunitete të tjera, kishte natalitet më të lartë, mesatarisht nga katër deri në pesë fëmijë. Komuniteti shqiptar në Perëndim ishte më etnocentrik dhe homogjen. Nuk kishte martesa të përziera. Kur filluan martesat e brezit të dytë, që kishin ardhur që në fëmijëri ose kishin lindur në shtetet perëndimore, për shembull një çift kishte pesë fëmijë, nusja ose dhëndri vinin nga vendlindja ose nga trojet shqiptare, pikërisht në këtë kohë numri i mërgatës u dyfishua, sidomos në shtetet gjermanofone: Zvicër, Gjermani dhe më vonë në Itali.
Pasi sollën familjet e tyre, ata akoma jetonin me shpresë dhe iluzione se, pasi të rregullonin statutin, do të ktheheshin me familjet në vendlindje, në atdheun e origjinës.
Mërgata e brezit të parë, duke pasur frikë nga asimilimi, i inspironte fëmijët me atdhetarizëm, patriotizëm romantik dhe i përgatiste që pas mbarimit të shkollave të ktheheshin në vendlindje. Brezi i parë, duke jetuar me shpresë dhe iluzione, nuk e dinte se fëmijët e tyre nuk do të ktheheshin në vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Për paradoks dhe kontrast në të njëjtën kohë, brezi i parë i mërgimtarëve me fëmijët e tyre kishin krijuar kështu një përplasje kulturore. Këto përplasje ishin mes dy shoqërive: patriarkale, rurale, tradicionale dhe shoqërisë moderne, liberale dhe urbane, gjegjësisht qytetërimit perëndimor.
Tashmë ishin dy pole, dy bota të ndryshme. Transformimi dhe evoluimi nga një shoqëri tradicionale, patriarkale dhe puritane, në një shoqëri liberale, postmoderne dhe qytetërim perëndimor, për brezin e parë të mërgatës shqiptare nënkuptonte dekompozimin e bërthamës së familjes dhe shkeljen e kodeve, traditës dhe bazave të moralit.
Mërgimtarët e brezave të parë, tashmë kanë pas vetes si trashëgimtarë fëmijët e martuar, të cilët bëjnë jetë të pavarur dhe për shkak të punës, banimit ose studimeve janë larguar nga prindërit. Për mërgimtarët e brezit të parë, të cilët pas pensionit jetojnë të vetmuar nëpër banesa, kjo situatë është e rëndë. Për këta mërgimtarë që kanë jetuar në familje tradicionale, kultura dhe qytetërimi perëndimor është helm dhe mbetet tragjik. Ata nuk mund të përballojnë këtë transformim dhe evoluim. Ata të ngrirë, të pakënaqur me jetën, ankohen se “fëmijët i kanë përbuzur, i kanë lënë në mëshirën e Zotit”.

ZHGËNJIMI DHE FRUSTRIMI I MËRGATËS SHQIPTARE

Brezi i dytë dhe i tretë që kanë lindur dhe janë rritur në shtetet perëndimore, të ashtuquajturat gjenerata B dhe C, janë rritur, shkolluar dhe integruar në këto shtete. Atdheu dhe vendlindja e tyre janë shtetet ku kanë lindur: për shembull, Zvicra, Gjermania, Italia, Amerika dhe të tjera.
Brezi i dytë dhe i tretë akoma kanë lidhje me vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Ata vijnë në pushime, bëjnë dasma, ahengje, ceremonitë mortore dhe kthehen. Ata janë të vetëdijshëm se fëmijët e tyre nuk do të kthehen në tokat e të parëve.
Brezi B dhe C do të jenë prototip dhe model i të jetuarit si shoqëri perëndimore. Gjithçka në të ardhmen e kulturës, dokëve, traditave të paraardhësve të tyre do të jetë e huaj, një kulturë dhe qytetërim i lashtë.
Këta breza, në të ardhmen do të humbasin identitetin, origjinën dhe etnogjenezën e paraardhësve të tyre. Për këto breza nuk do të jetë absurd dhe krizë identiteti kur fëmijët e tyre do të martohen me të huaj. Për ta nuk do të jetë absurd dhe paradoks kur djali ose vajza, nëpërmjet telefonit, do t’u thotë prindërve se janë divorcuar. Për këta breza B dhe C do të jetë normale që prindërit e tyre jetojnë në shtëpi azili, se nuk do të kenë kohë t’i vizitojnë fundjavave, pasi ata punojnë në ndonjë koncern ose firmë e janë shpërngulur në ndonjë qytet të largët.
Për këta breza të “uesternizuar” nuk do të jetë shqetësuese dhe e dhimbshme se fëmijët e tyre nuk i kanë parë me muaj e vite. Se një pjesë e tyre nuk do të martohet, do të bëjë karrierë dhe nuk do të lënë pasardhës.
Në kohën kur nuk do të jenë më mërgimtarët që dolën viteve të 70-ta dhe 80-ta, të cilët ndërtuan pallate, shtëpi e blenë prona, brezi i dytë dhe i tretë, këto shtëpi, banesa dhe prona do t’i shesin. Ata janë shkulur nga toka, gjaku dhe fisi i të parëve. Ata kanë lëshuar rrënjet dhe pemën familjare në vendet dhe shtetet ku kanë lindur, pasi vendlindja, atdheu dhe bota e tyre është vendi ku kanë lindur.
Sigurisht që për brezin ose gjeneratat B dhe C shitja e pronave, shtëpive dhe banesave të prindërve të tyre do të jetë e dhimbshme. Mirëpo, për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e shtëpive kostoja është e lartë. Ata në fund do të detyrohen t’i shesin shtëpitë, banesat dhe pronat e baballarëve që punuan për dekada, bartën peshën më të rëndë dhe fituan me djersë dhe gjak për pasardhësit e tyre.
Të nderuar lexues! Autori i këtij shkrimi është vetë mërgimtar i brezit të parë, i cili e njeh shpirtin, vuajtjet dhe dhimbjet e atij brezi, sepse vetë e ka përjetuar këtë dramë dhe odiseadë. Një pjesë e mërgimtarëve kanë ikur nga kjo botë dhe një pjesë, të mplakur e të sëmurë, presin vdekjen dhe në fund të kthehen me arkivolet në tokën mëmë që i lindi.
Nuk jemi ne e vetmja mërgatë që kemi përjetuar vuajtje, dhimbje dhe plagë. Janë shumë popuj në botë. E them me shumë emocione dhe bindje se nuk duhet të merret si tragjike, dramatike dhe si plagë emigrimin. Të gjitha organizmat dhe qeniet lëvizin dhe shtegtojnë, janë të lira në këtë planet të vogël dhe të bukur për të gjetur jetë më të mirë. Njerëzimi është i lirë të zgjedhë të jetojë ku të dojë. Shumë popuj kanë lëvizur dhe janë zhdukur në këtë planet.
Ikja e të rinjve, zbrazja për çdo vit e një fshati e lagjeje, mbetet paradoks dhe një histeri që nuk gjen shpjegim. Për ne si popull i vogël dhe për popuj të tjerë të vegjël, në të ardhmen ekziston rreziku, kanosja për zhdukje të kombit tonë të vogël në gadishullin Ballkanik. E ardhmja duket e pasigurt dhe kjo kanosje mbetet një shqetësim sidomos për ne që vazhdojmë paradoksalisht të ëdërrojmë për një kthim gati të pamundshëm.