Portali investigativ serb KRIK ka publikuar një hetim të gjerë që zbulon se dhjetëra persona me dosje të rënda kriminale – të dënuar për vrasje, trafik droge, dhunë dhe kërcënime – kanë marrë pjesë në protesta në mbështetje të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit dhe partisë së tij SNS, shpeshherë duke sulmuar qytetarë dhe studentë që protestonin kundër regjimit.
Sipas të dhënave që KRIK ka mbledhur përmes dokumenteve zyrtare dhe burimeve në terren, shumë nga këta persona janë parë në kampin e quajtur “Cacilend” – ngritur përpara Presidencës në Beograd – që është shndërruar në qendër të mbështetësve të Vuçiqit dhe strukturave të tij.
Në krye të listës që zbulon KRIK është Vladimir Vuçetiq, një nga të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës në shtator 2023, ku u vra një polic shqiptar dhe tre sulmues. Vuçetiq ishte pjesë e grupit të armatosur që drejtohej nga Milan Radoiçiq, një figurë e njohur kriminale dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Vuçiq.
Sipas KRIK, Vuçetiq është parë më 28 qershor 2025 në kampin “Cacilend”, në ditën e protestës studentore të Vidovdanit. Ndaj tij ekziston urdhër arresti ndërkombëtar për terrorizëm lëshuar përmes Interpolit, por ai lëviz lirisht në Beograd nën mbrojtjen e pushtetit.
Në të njëjtin kamp është parë edhe Petar Paniq, i njohur si “Pana”, një emër i vjetër i botës së krimit që dikur ishte pjesë e klanit të Zemun-it. Ai është dënuar dhe hetuar për shumë vepra penale, përfshirë dhunë, zhvatje dhe armëmbajtje pa leje.
Paniq ka lidhje të ngushta me strukturat e pushtetit – ka qenë truprojë e Vojislav Shesheljit dhe mik personal i Aleksandar Vuçiqit, si dhe i zyrtarëve të lartë të SNS-it si Darko Glišić e Goran Vesic. Në protestën e 15 marsit 2025 ai u pa në “Cacilend”, duke “mbrojtur” ndërtesën e presidencës.
Një tjetër figurë e njohur që u shfaq në kamp ishte Dijana Hrkaloviq, ish-sekretare shtetërore në Ministrinë e Brendshme, e dënuar për tregti ndikimi dhe e lidhur me grupin e Veljko Belivukut dhe kriminelin boshnjak Darko Elez.
E veshur me të bardha dhe e shoqëruar nga sigurimi personal, Hrkaloviq vizitoi “Cacilendin” në Vidovdan 2025, duke treguar hapur përkrahjen e saj për Vuçiqin, të cilin e quan “dielli im”.
KRIK identifikoi edhe Djorgje Preliqin, ish-liderin e grupit huligan “Alkatraz”, i dënuar për vrasjen brutale të tifozit francez Brice Taton në vitin 2009. Ai është parë në “Cacilend” në gusht 2025, ku deklaroi se ndodhej “për arsye patriotike” dhe se “nuk do të lejonte që Vuçiqi të bie në duart e tradhtarëve”.
Në mesin e “rojtarëve” të pushtetit është edhe Vladimir Mandiq, ish-hendbollist dhe anëtar i SNS-it, i cili është parë duke shtyrë e goditur studentë në protesta më 1 maj 2025. Ai ka qenë më parë i akuzuar për tentativë vrasjeje, i hetuar për pastrim parash dhe i lidhur me manipulime zgjedhore.
Në qytetet e tjera, dhuna ndaj protestuesve ka pasur fytyra të ngjashme.
Në Novi Sad, më 12 gusht 2025, janë identifikuar Jovan Kecman, i dënuar për tentativë vrasjeje dhe trafik droge, si dhe Jovo e Milenko Stanareviq, persona me dosje për dhunë dhe plagosje. Ata u panë duke sulmuar protestues dhe mbrojtur selinë e SNS-it.
Në Nish, protestën e po asaj date e “ruante” Nikola Radonjiq, i dënuar për plagosje me thikë të një të riu që mbante një bluzë antifashiste.
Në Pançevë, “mbrojtës” ishte Dejan Simeunoviq, një ish-truprojë e akuzuar më herët për vrasje me armë zjarri.
Në listën e gjatë të KRIK-ut gjenden edhe emra si Bojan Vujosheviq (i njohur si “Mrvica”), Bojan Mihajloviq (ish-MMA luftëtar), Bojan Raiçeviq (i afërt me vëllain e Vuçiqit, Andrej Vuçiq), si dhe Nina Shobota, e cila ka qenë e lidhur me kriminelë të njohur si Filip Koraq e Velibor Dunjiq.
Këta persona, sipas dëshmive dhe dokumenteve të KRIK-ut, kanë qenë të pranishëm në protestat proqeveritare, duke sulmuar qytetarët, kërcënuar studentët dhe mbrojtur selitë e pushtetit në Beograd dhe qytete të tjera.
Hetimi i KRIK tregon një pamje të frikshme: kampi “Cacilend”, që qeveria e paraqet si “qendër mbështetjeje për Vuçiqin”, është në të vërtetë një rrjet njerëzish me të kaluar kriminale, të lidhur me pushtetin dhe aparatin shtetëror.
Ndërsa Vuçiq paraqitet si “garant i rendit dhe sigurisë”, realiteti, sipas këtij hetimi, është krejt i kundërt – krimi i organizuar është bërë mburojë e regjimit, ndërsa qytetarët dhe studentët që kërkojnë drejtësi përballen me dhunë, frikësim dhe mosndëshkueshmëri.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, raporton KosovaPress.
Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.
42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radoiçiq, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati.