Lufta Ukrainë – Rusi/ Trump: Jemi afër një marrëveshjeje për Ukrainën

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se beson se bisedimet për një marrëveshje paqeje në Ukrainë janë afër përfundimit. “Nuk është e lehtë, por besoj se do ta arrijmë.

Mendoj se po i afrohemi shumë një marrëveshjeje, do ta shohim.

Mendoj se po bëjmë përparim”, tha presidenti amerikan, duke iu referuar luftës në Ukrainë, duke folur në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.

Më herët, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se Kievi është gati të ecë përpara me një marrëveshje paqeje të mbështetur nga SHBA- të dhe se ai është gati të diskutojë pikat e ndjeshme të saj me presidentin amerikan në bisedime që, duhet të përfshijnë aleatët evropianë.

Mediat e huaja shkruajnë së gjatë një fjalimi Zelensky u bëri thirrje udhëheqësve evropianë të bien dakord mbi një kornizë për vendosjen e një force sigurie në Ukrainë dhe të vazhdojnë të mbështesin Kievin për sa kohë që Moska nuk tregon gatishmëri për t’i dhënë fund luftës së saj.

Ndërkohë, pala ukrainase e konsideron versionin e fundit të planit amerikan dukshëm më të mirë për Kievin.

Në të njëjtën kohë, Emmanuel Macron, duke hapur telekonferencën e sotme të “Koalicionit të të Gatshmëve” që mbështet Kievin, në të cilën merr pjesë edhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio, deklaroi, se më në fund ekziston një mundësi për të bërë përparim të vërtetë drejt një paqeje të qëndrueshme midis Ukrainës dhe Rusisë.

Sipas presidentit francez, një kusht absolut për një paqe të qëndrueshme është t’i ofrohet Ukrainës garanci shumë të forta sigurie dhe jo garanci vetëm në letër.

“Ukraina ka marrë shumë premtime deri më sot, të thyera për shkak të sulmeve të njëpasnjëshme ruse, dhe për këtë arsye garancitë e forta janë të nevojshme “, tha presidenti francez.