Limani: Qytetarët janë para gjithçkaje dhe mbi politikat/ Nuk kemi pranuar ende vendimin e Qeverisë, do ta ankimojmë në Kushtetuese





Një ditë pasi Qeveria mori vendim për emërimin e Fadil Xhelilit si të besuar në Komunën e Gostivarit, ushtruesi i detyrës së kryetarit, Valbon Limani, zhvilloi një takim me administratën komunale dhe kabinetin e tij. Ai njoftoi se nga nesër nuk do të jetë më i pranishëm në zyrën e kryetarit, duke theksuar se komuna ende nuk ka marrë asnjë dokument zyrtar lidhur me vendimin qeveritar.

“Derisa nuk kemi dokument zyrtar për emërimin e të besuarit, erdha sot për t’u takuar me kabinetin dhe të punësuarit, dhe nga sot e tutje nuk do të jem këtu. Kur dhe si do të vijë i besuari i Qeverisë, nuk e di – kjo varet nga ta dhe nga afatet e vendimit. Sapo ta marrim vendimin zyrtarisht, do ta ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar ligjshmërinë e tij. Në Gostivar situata është specifike në krahasim me komunat tjera ku nuk u arrit censusi; ne besojmë se kemi të drejtë dhe do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet juridike”, deklaroi Limani.

Ai nënvizoi se periudha në vijim është kyçe për miratimin e buxhetit të vitit 2025 dhe programeve të tjera vjetore. Sipas tij, nuk priten pengesa apo bllokime në këto procese.

“Pamë që nga katër komunat ku u emëruan të besuarit e Qeverisë, në dy prej tyre – Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë – u caktuan kandidatë që morën më shumë vota në zgjedhje. Por në Gostivar dhe Vrapçisht, Qeveria ka vendosur të emërojë persona të tjerë. Megjithatë, unë shpresoj – dhe kjo ishte porosia ime për administratën – që të punojnë me përkushtim për të mos krijuar asnjë pengesë në funksionimin e komunës dhe jetën e qytetarëve. Qytetarët janë para gjithçkaje dhe mbi politikat. Administrata do të bëjë maksimumin për të përgatitur një buxhet të mirë dhe të gjitha programet vjetore, pa asnjë problem”, u shpreh ai.

Në lidhje me zgjedhjet e 11 janarit, Limani tha se pret të konfirmojë rezultatin e fitores së arritur në 19 tetor.