Liderët e G20-ës zotohen të punojnë për “paqe të drejtë” në Sudan, RD Kongo, Palestinë dhe Ukrainë





Udhëheqësit e G20-ës thanë sot në deklaratën përfundimtare të samitit në Afrikën e Jugut se do të punojnë për paqe “të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme” në Sudan, Republikën Demokratike të Kongos, territoret palestineze dhe Ukrainë, transmeton Anadolu.

“Të udhëhequr nga Qëllimet dhe Parimet e Kartës së OKB-së në tërësinë e saj, ne do të punojmë për një paqe të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Sudan, Republikën Demokratike të Kongos, Territorin Palestinez të Pushtuar dhe Ukrainë”, thuhet në deklaratën përfundimtare të samitit në Johanesburg.

Duke dënuar terrorizmin “në të gjitha format dhe manifestimet e tij”, deklarata thekson: “Vetëm me paqe do të arrijmë qëndrueshmëri dhe begati”.

Udhëheqësit gjithashtu u zotuan të kontribuojnë në përfundimin e konflikteve dhe luftërave të tjera në mbarë botën.

Zëdhënësi i presidentit të Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, Vincent Magwenya, konfirmoi se liderët e G20-ës kanë miratuar deklaratën e samitit, sipas transmetuesit publik SABC.

E themeluar në vitin 1999, G20-a përbëhet nga 19 shtete dhe dy organizata rajonale – Bashkimi Evropian dhe Bashkimi Afrikan.