Latif Arifi
Pas këtij procesi zgjedhor, që shënoi një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ndjej detyrim moral e politik të flas hapur për rrugëtimin e Aleancës për Shqiptarët, një rrugëtim të mbushur me përpjekje, me besim dhe me sakrifica, por edhe me ndarje që sprovuan qenien tonë politike e morale.
Në këto vite, Aleanca jonë u nda në tri pjesë. Dy prej tyre, për fat të keq, humbën busullën, u përkulën para tundimeve të pushtetit dhe zgjodhën rrugën e lehtë të kompromisit me Ali Ahmetin. Por ekzistoi edhe një Aleancë tjetër, ajo e vërteta, ajo që nuk u tund nga stuhitë, që qëndroi stoike në mbrojtje të kauzës për ndryshim dhe çlirim të shqiptarëve nga një pushtet dekadash. Kjo është Aleanca që triumfoi me dinjitet dhe e dëshmoi se ideali është më i fortë se çdo interes.
Sot, pas gjithë këtyre përvojave, marr guximin e plotë t’u drejtohem hapur Ziadin Selës dhe Arben Taravari -t:
Lëreni Aleancën të marrë frymë!
Mos e mbani peng këtë shtëpi që u ngrit mbi idealin e bashkimit, jo të përçarjes. Aleanca është shumë më e madhe se ne, më e madhe se emrat tanë. Le t’ua kthejmë këtë parti njerëzve që e besuan me zemër, që e ngritën me mund, që nuk e shitën për asnjë çmim. Le ta udhëheqin ata që besuan në ndryshim, ashtu siç ishte menduar që në ditën e parë të formimit të saj.
Nuk ishte betejë e lehtë. Por ne ia dolëm falë qëndresës sonë, falë guximit të atyre që e deshën Aleancën më shumë se veten.
Nuk mund të mos përmend guximin e Mimoza A Musa dhe Salim Sulejmani-t , që e mbrojtën votën e atij shqiptari që kërkonte ndryshim pas më shumë se 20 vjetësh. Ata e ruajtën amanetin, nuk e shitën besimin, nuk e tradhtuan popullin.
Po ashtu, guximi i Arben Fetai dhe shokëve të tij në Kumanovë, që kurrë nuk e shkelën vijën e kuqe ndaj BDI-së, dhe urtësia e Syrija Rashidi e Albrim Hoxha , që gjithmonë e ditën të rreshtohen drejt.
Respekt për prof. Azir Aliu , motorin dhe mendjen strategjike të Aleancës që e kodifikoi fitoren me saktësi e vizion.
Përshëndetje për Pollogun krenar me Arif Selami e shokët e tij, për Tahir Tairi në Tearcë, Kujtimin në Shemshovë, Alil Fetai në Bërvenicë e Evzal Elmazi në Zhelinë, njerëz që e mbajtën amanetin gjallë edhe kur të tjerët dorëzoheshin.
Guximi i Riad Ajdini dhe Bashkim Bakiu në Saraj, po si mund t’i harrojmë Agën Beqë Teuta Ramadani Xhaferi dhe Dardan Hyseni në Shkup, që edhe kësaj radhe qëndruan besnikë dhe ishin në vijë të parë, si gjithmonë, në mbrojtje të kauzës së Aleancës.
Një falënderim i veçantë për Yllka Nuredini dhe Lorina Karemani , zemrën e Aleancës, që me moshë të re, por me shpirt të madh, u bë frymëzimi dhe motivi i gjithë këtij rrugëtimi.
Në emër të të gjithëve këtyre, dua sot të flas me sinqeritet edhe për ju, anëtarë, simpatizantë, aktivistë që e deshët Aleancën edhe në ditët më të vështira. E dimë që ka pasur momente zhgënjimi, e dimë që ndonjëherë edhe jeni ndier të lënduar nga veprimet tona. Ju kërkojmë falje! Po ju kërkojmë edhe të falni.
Le të kthehemi si dikur, të bashkuar për një ideal të përbashkët.
Në emrin tim dhe të të gjithë aktivistëve, nga deputetët Ziadin Sela, Rijad Shaqiri , Ilir Demiri, Sadik Sulejmani , Prof. Elmi Aziri, e deri te çdo anëtar që nuk e braktisi shtëpinë tonë politike, ju ftoj të reflektojmë.
Edhe profesorin që na quajti “molla të kalbura” e falim, sepse edhe ai, me gjithë gabimet, e ka vendin në këtë Aleancë. Gabimet pranohen vetëm nga ata që kanë karakter.
Dikush do të thotë se lashë pa përmendur një deputete. Jo, nuk e lashë. Sepse besoj, e jam i bindur se ajo e ka guximin për të reflektuar vetë, për të marrë vendime pa ndikime. Po, më vjen keq që e solla në Aleancë dhe e lashë vetëm, për këtë i kërkoj falje. Por ajo e di mirë se ku u nda rruga jonë. Megjithatë, vendi i saj është këtu, në shtëpinë tonë të përbashkët.
Sot, më shumë se kurrë, na duhet reflektim dhe bashkim.
T’ia kthejmë Aleancës shpirtin e saj të parë, shpirtin e një kauze që nuk mund ta përçajë askush.
Na presin shumë punë.
Unë besoj se do ta bëjmë bashkë Valbon Limani kryetar të Gostivarit.
Besoni edhe ju. Bashkohuni. Sepse Aleanca e Bashkuar është fuqia që ndryshon historinë dhe e bën VLEN-in edhe më të fortë.