Nga Endi Tufa /Top Channel
Në një vend si Shqipëria, ku sportet dimërore kanë qenë përherë një luks, ku pistat profesioniste të skive mungojnë dhe rrugët drejt elitës ndërkombëtare janë më shumë imagjinare sesa reale, është thuajse e pabesueshme që sot bota e skive alpine flet shqip. Dhe këtë mrekulli po e bën një vajzë vetëm 19-vjeçare, me emrin Lara Colturi, një talent që Shqipëria e mori nën krahët e saj kur ishte ende 15 vjeçe dhe sot po e shpërblen vendin me rezultate që as guxonim t’i imagjinonim.
Lara nuk është thjesht një sportiste që garon për ne. Ajo është një projekt, një investim, një sfidë ndaj logjikës dhe historisë. Një vend pa traditë në skijim dhe pa asnjë infrastrukturë profesionale ka në duar një prej yjeve më të rinj të skive botërore. Kjo është historia e një vajze, e një familjeje kampionësh dhe e një vendi të vogël që guxoi të besojë në të pamundurën.
Profili i një vazje të re, që i bën edhe gjigandët e skive të kthejnë kokën
E lindur në Torino më 15 nëntor 2006, vajza e kampiones olimpike Daniela Ceccarelli dhe trajnerit Alessandro Colturi, dy emra që Italia i ka të shenjtë në skijim. Debutoi në Kupën e Botës në moshën vetëm 16 vjeçare. Në sezonin 2024–2025, renditet mes 10 më të mirave në botë, me rezultate të qëndrueshme në Giant Slalom (Sllallom Gjigand) dhe Slalom, dy nga disiplinat më teknike e më të vështira të skive. Ka 5 podiume në Kupën e Botës deri tani: 2 në GS, 3 në SL.
Fituesja e medaljes së artë në Super-G në Kampionatin Botëror të Juniorëve (të rinjve) 2023 në Austri. U rikthye nga një dëmtim i rëndë i ligamentit të gjurit në kohë record, një karakter i hekurt, tipik për kampionët e mëdhenj. Ka mposhtur disa nga emrat më të spikatur të skive botërore dhe në dy garat e këtij edicioni të Kupës së Botës, ka përfunduar menjëherë pas Mikaela Shiffrin, ikonës absolute të këtij sporti me 103 medalje të arta, vende të para.
Në skijim, aty ku çdo centimetër, çdo qindarkë investimi dhe çdo milimetër teknik bën diferencën, Lara po qëndron në podiume krahas atyre që kanë lindur në Zvicër, Austri, Gjermani, Norvegji, shtetet që e sundojnë alpinizmin. Dhe ajo ka në kostum flamurin tonë.
Zgjedhja për të garuar për Shqipërinë, një akt i madh besimi
Ka shumë arsye pse një sportiste me pasaportë italiane, me trajnerë elitarë dhe me origjinë nga një fuqi botërore e skive vendos të garojë për Shqipërinë. Por në historinë e Larës, dy gjëra janë kryesore:
1. Projekt vizionar i Federatës Shqiptare të Skive që në vitin 2022 i ofroi jo vetëm hapësirë, por edhe drejtim teknik nën nënën e saj, një legjendë e sportit.
2. Besimi reciprok: Shqipëria i dha Larës flamurin, Lara po i jep Shqipërisë lavdinë.
Sigurisht, rruga nuk ka qenë pa tensione. Verën e kaluar Italia kërkoi ta “rikthente”, ndërsa situata financiare e federatës shqiptare krijoi dilema reale. Por në fund, familja Colturi vendosi të vazhdojë rrugën kuqezi, duke falenderuar publikisht institucionet shqiptare për mbështetjen dhe duke e quajtur këtë projekt “udhëtim të përbashkët”. Në një vend ku sportet dimërorë shpesh shihen si një kartolinë e largët, Lara po bëhet simboli i një kapitulli të ri.
Shqipëria, historia e bukur e një vendi që ngrihet nga “hiçi”
Për të kuptuar madhështinë e Larës, duhet parë realiteti shqiptar. Shqipëria nuk ka një pistë profesioniste të skive të certifikuar për gara ndërkombëtare. Investimet në sportet dimërorë janë minimale. Ekipi kombëtar i femrave në ski, pa Larën, do të ishte praktikisht i padukshëm në arenën botërore. Pjesa më e madhe e sportistëve tanë të rinj nuk kanë qasje në kushte serioze stërvitore.
Dhe megjithatë, një vajzë me mëngë kuqezi po i jep Shqipërisë podiume në Austri, në Suedi, në qendrat më prestigjioze të skive botërore. Ky është një realitet që duhet të na bëjë të reflektojmë, kur në një sport kaq të shtrenjtë del një vajzë që të sfidon botën, atëherë i gjithë vendi duhet të mbajë përgjegjësi për të mos e humbur këtë talent.
Sezoni i ri, shpërthimi që paralajmëron Milano-Cortina 2026
Rezultatet e Larës këtë sezon kanë qenë brilante. Forma e saj po rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe podiumi i fundit në Austri, në Gurgul/Grogl, ku mori vendin e dytë, e vendos zyrtarisht mes atyre që do të luftojnë për medalje në Olimpiadën e vitit të ardhshëm. Nëse ka një sportist të vetëm që sot mund t’i japë Shqipërisë medaljen e parë olimpike dimërore në histori, ajo është Lara.
Çfarë simbolizon Lara për ne?
Në një kohë kur shumë të rinj largohen nga vendi, kur mundësitë në sport janë të kufizuara, Lara Colturi është një tregim i thjeshtë por i fuqishëm, me vizion, me investim dhe me besim tek e ardhmja, Shqipëria mund t’ia dalë edhe atje ku askush nuk e imagjinoi. Ajo nuk ka lindur shqiptare, por sot po e mban flamurin tonë në arenën ku të fortët e botës matin veten çdo fundjavë, dhe ne, shqiptarët, kemi të drejtë të jemi krenarë.
Lara Colturi nuk është thjesht një yll i skive, ajo është ftesa për Shqipërinë që të guxojë më shumë.