Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur në forumin e dytë “Za n’Kujtesë”, i cili këtë herë i është kushtuar helmimeve të nxënësve në Kosovë në fillim të viteve ’90.
Ai i cilësoi këto helmime si një nga krimet më të rënda dhe më djallëzore të kryera nga aparati shtetëror serb ndaj shqiptarëve, duke kujtuar se mbi 7 mijë nxënës u prekën nga këto sulme në dhjetëra qytete të Kosovës.
Kurti theksoi se autoritetet serbe asokohe i fshehën rastet, penguan hetimet dhe përndjekën ata që ofronin ndihmë mjekësore, ndërkohë që ekzistojnë dëshmi të shumta nga viktimat, mjekët, mësuesit, raportet ndërkombëtare dhe dokumentet e kohës.
Ai shtoi se përmes themelimit të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, po krijohet një qendër e plotë dokumentuese për të gjitha krimet e kryera nga Serbia, e cila do t’u shërbejë studiuesve dhe institucioneve në zbardhjen e së vërtetës historike.