Krenari shqiptare në Evropë: Dr. Bedri Ramadani kryen transplantacionin e 400-të të zemrës në Düsseldorf

Në nëntor të këtij viti, në Klinikën Universitare të Düsseldorfit u realizua me sukses transplantacioni i 400-të i zemrës, një arritje e rëndësishme për këtë institucion të specializuar. Operacioni është kryer nga Dr. Bedri Ramadani, zëvendësdrejtor i Klinikës për Kardiokirurgji, një prej emrave më të vlerësuar në kirurgjinë kardiake në Evropë.

I lindur në Vaksincë të Kumanovës, Dr. Ramadani mbaroi gjimnazin në Kumanovë dhe vijoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Rijeka, Kroaci. Karrierën e tij profesionale e zhvilloi në Gjermani, ku në vitin 2005 përfundoi specializimin në Kardiokirurgji.

Pas 20 viteve punë në Qendrën Spitalore të Zemrës në Duisburg, ai iu bashkua Klinikës Universitare të Düsseldorfit, ku vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e kirurgjisë moderne të zemrës. Ekspertiza e tij e thellë në kardiokirurgjinë minimal-invazive dhe përvoja e jashtëzakonshme në transplantacionet e zemrës e rendisin ndër kardiokirurgët më të njohur ndërkombëtarë, përcjell TS.

Deri sot, Dr. Ramadani ka kryer mbi 7,000 ndërhyrje në zemër, përfshirë më shumë se 80 transplantacione, duke u bërë një figurë e pazëvendësueshme në këtë fushë jetike të mjekësisë.

Përveç suksesit profesional, Dr. Ramadani njihet për kontributin e tij të vazhdueshëm ndaj komunitetit shqiptar. Ai është gjithnjë i angazhuar në ndihmën, këshillimin dhe mbështetjen mjekësore të bashkatdhetarëve, si në Gjermani, ashtu edhe në vendlindje. Përkushtimi i tij i pandërprerë për t’u dalë në ndihmë pacientëve shqiptarë, shpesh edhe në mënyrë vullnetare, e bën atë jo vetëm një mjek të jashtëzakonshëm, por edhe një shembull inspirues humanizmi dhe profesionalizmi./TS/