Kina dhe Arabia Saudite zotohen t’i ngrenë marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri

Kina dhe Arabia Saudite u zotuan t’i ngrenë marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet tyre në një nivel më të lartë, gjatë vizitës 5-ditore të zv.presidentit kinez Han Zheng në Arabinë Saudite, që përfundoi të shtunën.

Gjatë vizitës, Han u takua me Princin e Kurorës dhe kryeministrin e Arabisë Saudite Mohammed bin Salman dhe mbajti një fjalim në konferencën e 9-të të Nismës së Investimeve të Ardhshme.

Gjatë takimit me Mohammed bin Salman, Han Zheng u shpreh që sesioni i 4-t i Komitetit të 20-të Qendror të PKK-së dha sinjalin e qartë për thellimin e reformës dhe zgjerimin e mëtejshëm të hapjes me botën e jashtme, gjë që do t’i sjellë zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve Kinë-Arabi Saudite mundësi të çmuara.

Princi i Kurorës Mohammed bin Salman tha se Arabia Saudite i përmbahet parimit të “një Kine” dhe dëshiron të thellojë bashkëpunimin me palën kineze në fushën e ekonomisë, tregtisë, investimeve, inteligjencës artificiale, energjisë së përtëritshme dhe minierave, për të promovuar zhvillimin e përbashkët.

Ai u shpreh se pala saudite e admiron punën e Kinës për nxitjen e pajtimit mes Arabisë Saudite e Iranit dhe vlerëson qëndrimin e barabartë të Kinës në problemin e Palestinës. Ai shprehu shpresën që Kina do të luajë një rol më të madh për mbrojtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë rajonale.

Në fjalimin e mbajtur në konferencën e 9-të të Nismës së Investimeve të Ardhshme, zv.presidenti Han Zheng u shpreh që midis Kinës dhe Lindjes së Mesme ka një histori të lashtë të bashkëpunimit miqësor. Kina është e gatshme të punojë me Arabinë Saudite dhe me vendet e tjera të këtij rajoni për të thelluar bashkëpunimin miqësor, për të nxitur ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” dhe për të pasur një bashkëpunimin më shumëdimensional në sektorin energjetik.