Nafie Selmani
Pjesëmarrja në këto zgjedhje prej vetëm 41% më e ulëta që nga viti 1996, është tregues alarmant për demokracinë. Në një demokraci funksionale, vota është jo vetëm e drejtë, por edhe përgjegjësi qytetare. Kur mbi gjysmës së elektoratit ose rreth 60%, nuk i intereson më të votojë, problemi nuk është vetëm te qytetarët, por është në besimin e humbur dhe në mungesën e ofertave të reja politike.
Në rrethin e parë, rreth 100 mijë fletvotime dolën të pavlefshme, ndërsa në rrethin e dytë rreth 19 mijë. Ky është akt refuzimi, dhe mënyrë e qytetarëve për të thënë: “nuk përfaqësohemi nga askush”.
Në këto zgjedhje të gjitha partizë kanë rënie të votave, gjë e cila tregon lodhje të përgjithshme të trupit elektoral nga premtimet e stërpërsëritura të pambajtura, mungesa e rezultateve konkrete dhe vazhdimi i të njëjtit avaz.
Ndaj, pyetja që lind natyrshëm është: A duhet të reflektojnë partitë apo qytetarët? Përgjigjja më e saktë do ishte është të dyja palët, vetëm se në mënyra të ndryshme.
Partitë politike duhet të reflektojnë thellësisht për mënyrën si e kanë reduktuar politikën në agjenci punësimesh për militantë, miq e familjarë. Duhet ts kuptojnë se qytetari nuk është më votues pasiv, por vëzhgues kritik që kërkon llogari, transparencë dhe ndryshim të vërtetë. Ndërkaq, qytetarët, nga ana tjetër, duhet të reflektojnë se bojkotimi i politikës nuk e ndryshon politikën, por e lë atë në duart e më të pandershmëve.
Reflektimi te të dyja palët është i domosdoshëm, por më shumë te partitë, sepse kur pjesëmarrja bie në minimum historik, kur fletvotimet e pavlefshme shumëfishohen dhe kur partitë matin fitoret mbi baza krahinore apo grupesh, atëherë sistemi politik është në krizë të rëndë legjitimiteti. Në këtë situatë, reflektimi duhet të jetë kombëtar, jo vetëm partiak.
P.S Nejse, ky vend vështirë të bëhet ashtu si duhet!